2013-07-24 14:05:50

Papa në Shenjtëroren e Zojës së Aparesidës në lutje për DBR-së


Sot për Papa rifilluan impenjimet e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë në Rio-de-Zhanéjro. Paradite Ati i Shenjtë Françesku shkoi në Shenjtëroren e Zojës së Aparesidës, një nga qendrat më të rëndësishme të devocionit marian në botë, ku kryesoi Meshën Shenjte. Pas rikthimit në Rio, Papa do të vizitojë spitalin kushtuar Shën Françeskut të Asizit. Ndërkaq dje në Rio nisi një shi, që vijoi gjithë ditën, por pa mundur t’i pengojë më se 500 mijë të rinj të mblidhen rreth imzot Tempestës, kryeipeshkëv i qytetit, për Meshën e hapjes së DBR-së, në skenën mahnitëse të plazhit të Kopakabanës. Si zbriti nata, tribuna vigane, mbi të cilën lartohet Kryqi, u ndriçua me të gjitha ngjyrat e flamurit brazilian. E pikërisht fryma karioka e karakterizoi gjithë liturgjinë.
Këngët, valëvitjet e flamujve të të gjitha vendeve të botës dhe festa, që i parapriu kremtimit solemn, ia lanë vendin lutjes, sapo arriti Kryqi dhe figura e Zojës së DBR-së, mbartur me procesion nga të rinjtë e pesë kontinenteve. Para Meshës të pranishmit u lutën për të rinjtë e papunë, për viktimat e një diskoteke braziliane të djegur, për masakrimin e fëmijëve të rrugës në Kandelaria e për të renë, që vdiq aksidentalisht në Guajanën franceze, në sa ishte për udhë drejt Rios. Në homeli, imzot Tempesta, duke u përqendruar tek tema e DBR-së, i ftoi të rinjtë të jenë misionarë e u kujtoi se:
“Nesta semana, o Rio se torna o centro da Igreja, viva e jovem...
Rio këto ditë është bërë qendra e Kishës së gjallë e të re!”.
E ndërsa të rinjtë ndiqnin me devocion Meshën në Rio, Papa, shpirtërisht pranë tyre, para ekranit të televizonit, në selinë e tij të Sumaré-së, u prek thellësisht për pjesëmarrjen që, sigurisht, do të ishte shumë më e madhe, nëse nuk do të kishte rënë aq shumë shi, shoqëruar edhe me një black-out në metropolitanën e Rios, që i pengoi shumë të rinj të arrinin në Kopakabana.







All the contents on this site are copyrighted ©.