Papa Françesku arriti në Shenjtëroren e Aparesidës për të kremtuar Meshën me ipeshkvijtë
e Provincës. Në sallën e 12 Apostujve, ku ishte vendosur Virgjëra e Aparesidës, lexoi
këtë lutje drejtuar Zojës së Bekuar, së cilës ia kushtoi të rinjtë dhe papninë e tij:
Kushtimi,
Zojës së Aparesidës
Nënë e Aparesidës, si ti një ditë, kështu ndjehem
unë sot para teje e Zotit. Ai na ngarkon për jetë një mision që nuk ia dimë
as caqe, as kufij e që kërkesat sapo ia shikojmë… Por në besimin tënd, falë
të cilit “S’ka gjë të pamundur për Zotin”. Ti, Nënë nuk ngurrove! E unë,
si mund të ngurroj!
“Ja, Shërbëtorja e Tënzot. U bëftë mbi mua si është
Fjala jote!
Kështu, me Ty, e si Ti, unë rrok misionin tim. Në duar
tua po e lë jetën time. Të shkojmë, Ti-Nëna, unë Biri e të ecim së bashku të
besojmë së bashku, të luftojmë së bashku, të fitojmë së bashku, si patët
ecur gjithmonë Ti e yt Bir!
Grua, ja yt Bir! Bir, ja Nëna jote!
Nënë
e Aparesidës, një ditë e çove tand Bir Në tempull, për t’ia kushtuar Atit që
të ishte krejtësisht i gatshëm për mision. Më ço sot dhe mua tek Ati, kushtomë
Atij me gjithçka kam, kështu si jam.
Jam këtu! Dërgomë!
Nënë
e Aparesidës, i lëshoj në duart tua e i sjell te Ati, të rinjtë tanë e tuajt, e
Ditën e tyre Botërore. Sa forcë, sa jetë, e sa gjallëri bulon e shpërthen e
mund të jetë në shërbim të jetës.
Të kërkojmë, o Nënë: - Pranoi ndër krahë
bijtë e bijat e tua shtegtare, po eja edhe me ne shoqërona hap për hap, shoqëroje
ti në mision, familjen e madhe të besimtarëve. Kur kryqi peshon tepër rëndë na
e mbështet ti shpresën tonë, e fenë tonë na e forco.
Kushtimi i vetvetes
e i papnisë
O e Shenjtnueshmja Virgjëra Mari, me ndërmjetësinë pranë
Zotit tonë Jezu Krishtit, përmes Figures Sate të dashur të Aparesidës shpërndan
hire mbi hire mbi mbarë Brazilin.
Unë, ndonëse i padenjë për të qenë ndër
bijtë e bijat Tua, por plot me dëshirë për të marrë pjesë, në të mirat e mëshirës
sate, në gjunjë para këmbëve tua po ta kushtoj mendjen, që të mendojë për
dashurinë, të cilën aq shumë e meriton; po ta kushtoj gjuhën, që të të
lavdërojë gjithnjë e të përhapë devocionin tënd; po ta kushtoj zemrën time që,
pas Zotit, të të dojë përmbi gjithçka!
Pranomë, o Mbretëreshë e pashoqe! Ti,
Nënë, dhuratë e Krishtit të Kryqëzuar, ndërmjet bijve e bijave tua: më merr
nën mbrojtjen tënde, ndihmomë në çdo nevojë shpirtërore e tokësore e mos
më harro, sidomos, në fill të mortjes sime.
Bekomë, ti, Bashkëpunëtore Qiellore, e
me ndërmjetësimin tënd të pushtetshëm, forcomë në ligështi, që, duke të shërbyer
besnikërisht në këtë jetë, të mund të të lavdëroj, të të dua, e të falënderoj
në qiell për amshim!