2013-07-24 17:20:52

Cikël reflektimesh kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike: Njohja e Zotit


Javën e kaluar, nësa shfletonim Katekizmin e Kishës Katolike, thamë se Hyji mund të njihet me siguri përmes dritës natyrore të arsyes njerëzore, duke u nisur nga krijesat e Tij (n. 356). Por kjo mundësi nuk bëhet gjithnjë realitet. Papa Piu XII pohon se njeriu ndesh shumë vështirësi në përpjekjen për ta njohur Zotin, ndërmjet tjerash, për shkak të prirjeve të rrezikshme, të lindura nga mëkati i rrjedhshëm.

Por nuk është vetëm kjo arsye, e cila na shtyn të kërkojmë që Hyji të na zbulohet. Njohja natyrore e Absolutit, edhe pse e mundshme, është e kufizuar e nuk na e tregon planin e Zotit për njeriun. Tri të vërtetat themelore të fesë sonë, domethënë Trinia, Mishërimi e Hiri, nuk mund të kuptohen nga krijimi. Vetëm Hyji mund të na i zbulojë.

Feja e krishterë nuk është besim i lindur nga përpjekja njerëzore për ta njohur Hyjin. Është përgjigje që Hyji vetë deshi ta jepte, duke iu dëftuar njeriut. Katekizmi na mëson se Zbulesa nuk është thjesht tërësi e të vërtetave të formuluara e të transmetuara nga ne, por, para së gjithash, është takimi me Vetjen e Jezu Krishtit.

Hyji e zbulon vetveten ashtu siç ka qenë gjithmonë, domethënë, si bashkim i Atit, i Birit e i Shpirtit Shenjt e dëshiron të na bëjë të aftë t’i përgjigjemi e ta duam. Zoti, prandaj, nuk na komunikon vetëm njohjen e sendeve, por – siç e lexojmë në Katekizëm – “dëshiron t’ua komunikojë njerëzve jetën e vet hyjnore, për t’i bërë bij në shpirt” (n.52). Kështu të besosh nuk do të thotë të pohosh se ka një Zot, por kryesisht të besosh se dashuria e Zotit na bën pjesëtarë të jetës së tij të amshuar. Etërit e Kishës pohonin: “Zoti u bë njeri, që njeriu të bëhej Zot”. Jo ashtu si premtoi shejtani në parajsë, por për hir të Hyjit. Na e kujton këtë Katekzimi, duke e shfletuar nga pak për ditë…








All the contents on this site are copyrighted ©.