2013-07-23 11:52:38

Rio-de-Zhanéjro qyteti ku zhvillohet DBR-së


Rio-de-Zhanéjro, kryeqytet me të njëjtin emër i Shtetit Federal, i treti për nga dendësia e popullsisë në Brazil (15 milionë banorë e 92 qytete), Shteti ka 8 zona gjeografike. Ajo e kryeqytetit Rio, është zonë metropolitane. Qytet me 6 milionë banorë (nëntë, me rrethinat) shtrihet në bregun jugor të Gjirit të ndritshëm të Guanabarës, mbi të cilin sundon maja e Pão de Açukar (Bukë sheqeri), që quhet kështu, për shkak të formës.
Këtu i lëshojnë vendin njëra-tjetrës fushat e lagunat, veshur me pyje tropikale, blloqet shkëmbore prej graniti e kodrat e vetmuara, që krijojnë një pejzazh mahnitës.
Zhvillimi i qytetit është rezultat i një pune vigane: kodra të tëra u sheshuan e gurët e tyre u hodhën në det, duke fituar zona të gjera, si ajo e Aeroportit Santos Dumont e Aterro do Flamengo. Laguna të tëra u bonifikuan e u hapën një mori tunelesh, për të lidhur lagjet e ndryshme të qytetit. Shpërthimi demografik hodhi poshtë shumë plane lidhur me rindërtimin e Rios. Ndërmjet tyre, ai i propozuar më 1929 nga Korbysje (pseudonim i arkitetktit, urbanistit e piktorit zviceran, me nënshtetësi franceze, Charles-Edouard Jeanneret-Gris) që u prek thellë nga bukuria e Rios.
I ngujuar ndërmjet malesh e detit, Rio-de-Zhanéjro ka dy realitete krejt të ndryshme: qytetin modern me rrokaqiejtë e rrugicat e gjelbëra, dhe rrethinat e pashëndetshme. Tri janë zonat kryesore: qendra financiare, zona jugore, rezidenciale, që shtrihet gjatë plazheve të bregut të oqeanit Atlantik (Kopakabana, Ipanema, etj) dhe veriu, zona industriale. Favelat (përqendruar mbi kodrat e në fushë), plot me baraka, që u mungojnë edhe infrastrukturat më fillestare, strehojnë mbi 25% të popullsisë urbane e mund t’i shikosh deri në lagjet më elegante të qytetit: karakteristika më dramatike për vizitorët e vendit.
Pikë referimi e dukshme nga të katër anët e qytetit, është shtatorja e “Krishtit Shëlbues”, ngritur në vitin 1931 mbi malin Korkovado (704 metra mbi nivelin e detit), me gjatësi 38 metra e peshë 1,150 tonelata. Është vepër e skulptorit francez Paul Landovski, ndërsa realizimi iu besua inxhinierit brazilian Heitor da Silva Kosta.
Ndonëse e humbi rolin e kryeqytetit në vitin 1960, në favor të Brazilies, Rio ruajti funksione të ndryshme administrative e përfaqësuese, që i japin qytetit rol udhëheqës në ekonomi. Porti i tij është i dyti në vend e funksionon si treg për prodhimet e shteteve fqinje (kafe, pambuk, sheqer, minerale hekuri, manganezi e makineri).
Rio ka më se 20 muzeume, ndërmjet të cilave, spikat Muzeumi i artit modern, qendër informacioni e manifestimesh artistike, teatrore e muzikore, edhe moderne. Të denja për t’u kujtuar, edhe shumë parqe, ndërmjet të cilave, Parque do Flamengo, ku u kremtua Mesha, kryesuar nga Papa Gjon Pali II në Takimin II Botëror të Familjeve (5 tetor 1997). Rio i tërheq shumë turistët, me plazhet e pafundme, peizazhet mahnitëse e karnavalet e famshme në të gjithë botën, fryt i kulturës popullore, që shprehet me muzikë e valle (eskolas e samba).
Historia, me dy fjalë:
1494 Me traktatin e Tordesilas, Papa Aleksandri VI e ndan “botën e re” më dysh gjatë meridianit 370 lega në perëndim të Kepit të Gjelbërt: tokat në perëndim të meridianit u kalojnë spanjollëve, në lindje, portugezëve.
1500 Lundërtari portugez Pedros Alvares Cabral arrin në zonën e Bahisë: tokat e reja, sipas traktatit, i përkasin Portugalisë.
1512 André Gonaçalves dhe Amerigo Vespuçi ‘zbulojnë’ gjirin e Guanabarës (krah deti në gjuhën e indianëve tamoios, që popullonin zonën).
1549 Jezuitët mbërrijnë në Brazil me governatorin Tomé de Souza.
1555 Admirali francez Nicolas Durand de Villegaignon ndërton në ishullin e gjirit vendbanimin e parë evropian të qëndrueshëm. E quan Rio-de-Zhanéjro (Rio, nga që beson se krahu i detit ishte grykë lumi; Janeiro, janar, nga që zona u zbulua në janar)
1567 Mundja e dëbimi i francezëve nga Rio.
1574 Jezuitët, të impenjuar në gjirin e popullsive vendase, nxjerrin nga Mbreti lejën që indianët e ‘aldeias’, nën mbojtjen e tyre, të mos katandisen më në skllevër. Kjo masë pakëson numrin e krahëve të punës për kolonët potugezë, që nisin, si shkëmbim, të shtojnë ‘importimin’ e skllevërve nga Afrika.
Shek XVII Qyteti numëron 3000 indianë, 750 portugezë e 350 skllevër zezakë. Vendosen këtu urdhëra të ndryshme fetare, ndërmjet të cilëve, Benediktinët e Françeskanët.
1763 Zbulimi i arit në Minas Gerais ia rrit vlerën qytetit, që bëhet port për transportimin e arit e diamanteve në Portugali: kunora portugeze e transferon selinë e qeverisë koloniale nga Bahia, në Rio.
1808 Potugalia pushtohet nga ushtritë napoleonike. Oborri mbretëror portugez strehohet në Rio, duke i dhënë nxitje të re zhvillimit të qytetit; nis tregtia me jashtë, themelohet tipografia e parë, shkolla e mjekësisë, akademia ushtarake e biblioteka e parë publike.
1822 Prici sundimtar, Dom Pedro, refuzon të kthehet në atdhe, sipas kërkesës së parlamentit e të qeverisë portugeze dhe shpall pavarësinë e Perandorisë së Brazilit (7 shtator).1888 Merr fund skllavëria. Perandoria, pasi humbet mbështetjen e pronarëve të mëdhenj të tokave, bie një vit më pas. Rio shpallet Republikë më 15 nënor 1889.







All the contents on this site are copyrighted ©.