2013-07-23 11:43:47

Përqafimi i parë i Papës Françesku me kombin e madh brazilian


Avioni me të cilin shtegtonte Papa, preku tokën e aeroportit ndërkombëtar Galeão/Antonio Carlos Jobim të Rios në orë 16.00 me orën vendase, 21.00 me orën evropiane. Në aeroport ishte edhe presidentja Dilma Roussef, por ceremonia e mirëseardhjes u mbajt në Pallatin e Guanabarës, seli e qeverisë së Shtetit të Rios, prej nga Papa përshëndeti mbarë kombin brazilian.
Ati i Shenjtë e nisi takimin e parë me Brazilin, duke falënderuar Provaninë hyjnore për këtë shtegtim të parë apostolik ndërkombëtar, me vetëdijen se për t’u mikpritur nga populli brazilian, duhet hyrë nga porta e zemrës së tij të madhe. Mora guximin të trokas ëmbëlsisht në këtë portë, vijoi Ati i Shenjtë, e duke bërë të vetat fjalët e Apostullit, tha haptas:
‘Nuk kam as ar e as argjend, por sjell me vete gjënë më të çmuar, që m’u dhurua: Jezu Krishtin’, edhe unë vij në emër të Tij, për të ushqyer flakën e dashurisë, që digjet në çdo zemër. Paqja e Krishtit qoftë me ju!”.
Papa Françesku nënvizoi, më pas, se erdhi në Brazil të takojë të rinjtë e mbledhur nga të katër anët e botës, të tërhequr nga krahët e hapur të Krishtit Shëlbues, për ta ndjerë veten pranë zemrës së Tij e për të dëgjuar thirrjen e Tij të fuqishme: “Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!’.
Janë të rinj, që flasin gjuhë të ndryshme, mbartin kultura të larmishme, e megjithatë, gjejnë të vërtetën e kulluar dhe dashurinë, që i bashkojnë përtej çdo ndryshimi. Është një energji e fuqishme. Çlirohet me vrull, kur të rinjtë pushtohen nga përvoja e Krishtit.
Domethënëse, fjalët e mëtejshme të Papës Françesku:
“Duke iu drejtuar të rinjve, u flas edhe familjeve të tyre, bashkësive të tyre kishtare e kombëtare, shoqërive, në të cilat jetojnë. Fëmijët janë bebja e syve tanë, dritarja, përmes së cilës hyn drita në shpirtin tonë. Rinia është dritarja nëpër të cilën hyn ardhmëria në botë e, prej këndej, na vë përpara sfidave të mëdha”.
Breznia jonë do të jetë në lartësinë e premtimeve, që ka çdo i ri, kur do të dijë t’i japë hapësirën e duhur, t’i japë baza të shëndosha, mbi të cilat mund ta ndërtojë jetën, t’i garantojë sigurinë e edukimin, t’i transmetojë vlera të qëndrueshme, për të cilat ia vlen të jetosh.
Në përfundim Papa u kërkoi të gjithëve të kenë fisnikërinë e vëmendjes, e, po të jetë e mundur, edhe aftësinë për ta kuptuar tjetrin e për të krijuar kështu, një dialog ndërmjet miqsh. Pastaj Ati i Shenjtë e rroku mbarë kombin e pamasë brazilian, me gjithë pasurinë e tij njerëzore, kulturore, fetare: “Nga Amazona, deri në pampa, nga zonat e shkreta, në Pantanal, nga viset e vogla, deri te metropolet e mëdha”.







All the contents on this site are copyrighted ©.