2013-07-23 16:24:58

Papa Françesku. Të rinjtë, brezni pa punë!


Nga Brazili, Papa i flet mbarë shoqërisë së sotme. I kujton se të rinjtë janë e ardhmja. Po një e ardhme, që rrezikon të mbetet me duarkryq, pa punë. Prej këndej, kërkon të lidhë një pakt me gjithë shoqërinë, në emër të ardhmërisë.
Tërheq, prandaj, vëmendjen e njerëzimit, që duhet ta shikojë rrezikun e krijimit të një breznie të tërë të papunësh e propozon një pakt ndërmjet të rinjve e pleqve, kundër krizës; një besëlidhje ndërmjet bijve e baballarëve, për t’iu kundërvënë kulturës së shpërdorimit e të përjashtimit. Papa, që dëshiron një kishë të varfër, për të varfërit, e shikon me sy shumë të kthjellët botën, nësa zbret shkallët e një avioni, që e çoi në fund të botës, prej nga u nis, për t’u ulur mbi fronin e Shën Pjetrit. Qesh e lëviz ngadalë, gati-gati si të mbarte mbi vete peshën shkëmbore të entuziazmit kolektiv. Qesh e troket lehtë-lehtë. Kërkon leje për të hyrë, leje për të kaluar një javë, në një komb me ndjenja të thella fetare. E kjo delikatesë, që duket sikur bie në kundërshtim me qëndrimin e vendosur ditët e kaluara, kur bëhej fjalë për Ior-in dhe reformimin e Kuries, i fiton menjëherë zemrat, e pendat, e gazetarëve të cilët, në avion, mundën të flasin me Papën e të dëgjojnë disa nga dëshirat e tij intime, si ajo për të vizituar Torinon, pse Ati i Shenjtë ka shumë kushërinj në Piemont, por, sidomos, pse dëshiron të gjunjëzohet para Sindonës, të ecë në gjurmët e Dom Boskos e të shkelë në trojet, prej nga u nisën të parët e tij, mërgimtarë italianë, në Amerikën Latine. Papa kërkon lidhjet me njerëzit e rrënjët e veta e hyn shpejt e shpejt në shpirtin e të tjerëve, duke ua hapur të vetin.Në ceremoninë e mirëseardhjes me autoritetet e Guanabarës, Bergolio nis bisedën, duke përmbledhur kuptimin e shtegtimit në Brazil: “Nuk kam ar, as argjend, por vij në emër të Krishtit, për të ushqyer dashurinë e të rinjve, që janë bebja e syrit tonë”. Këtu nis edhe sfida drejtuar të rriturve. “Ç’do të ndodhë me ne, nëse nuk do të kujdesemi për sytë tanë? Për rininë, që është dritarja, përmes së cilës hyn e ardhmja në botë?". Por e ardhmja nuk mund të hyjë, nëse nuk do t’u japim të rinjve hapësirat e duhura, nëse nuk do t’u krijojmë kushte materiale e shpitërore për zhvillim të plotë e të gjithanshëm. Është detyrë e breznisë që shkon, për brezninë, që vjen! T’u japë të rinjve themele të forta, mbi të cilat të mund ta ndërtojnë jetën, t’u garantojë siguri e edukim, që çdo i ri të mund të bëhet njeri me vlerë për vete, për familjen, për mbarë shoqërinë. U duhen transmetuar vlera të qëndrueshme, për të cilat ia vlen të jetosh! E t’u lihet një trashëgimi e denjë, një botë, në të cilën njeriu mund të jetojë si njeri. Por Françesku nuk do që mobilizimet e jashtëzakonshme të jenë vetëm meteorë, vetëm vezullime, në atmosferën e rëndomtë të shekullarizimit. Nuk do sheshe plot e kisha bosh! Vizita e tij pajton Amerikën Latine me Romën, pas çarjes, shkaktuar nga rrufetë e Vatikanit mbi teologjinë e çlirimit. Në qendër të predikimit, rikthehen drejtësia shoqërore e vlerat e solidaritetit.
Edhe në takimin me presidenten Dilma Rousseff, Papa ofron bashkëpunim kundër varfërisë e papunësisë të të rinjve. “Ky shtegtim bëhet pikërisht për t’u takuar me të rinjtë” shpjegon Françesku. Me të rinjtë, që nuk duhen izoluar, që duhen takuar në indin e tyre shoqëror, duke i njohur nga afër, ata e brezninë para tyre. Sepse një popull mund të ketë të ardhme, vetëm nëse bashkon urtinë e pleqve, me forcën e të rinjve. Rreziku kryesor fshihet në kulturën e përjashtimit, të shpërdorimit, që flak jashtë radhëve të shoqërisë sektore të tëra të popullsisë. Kështu, ‘të përjashtuarit’, gjetën përfaqësuesin e tyre në tryezën e njerëzve të pushtetshëm të planetit. Gjetën zërin e tyre të munguar!
Në ‘villas miserias” të Buenos Ajres, Bergolio ishte prift e ipeshkëv i vijës së parë të frontit kundër varfërisë, tani, që është Papë, po i bën periferitë gjeografike dhe jetike të favelas, farkë simbolike, për të kalitur çelikun e ungjillëzimit të ri.
Sipas gazetës italiane “La Stampa”, 23 korrik 2013, fq. 2







All the contents on this site are copyrighted ©.