Papa Françesku në DBR-së të Rios: nuk kam ar, as argjend por sjell me vete Krishtin!
Dita e parë e Papës Françesku në Rio ishte plot me entuziazmin e një populli të tërë,
që e priti me ngrohtësi të madhe pasardhësin e Shën Pjetrit. Papa arriti në qytetin
karioka për shtegtimin e tij të parë ndërkombëtar, me rastin e Ditës së 28-të Botërore
të Rinisë. Avioni me të cilin shtegtonte, preku tokën e aeroportit ndërkombëtar
Galeão/Antonio Carlos Jobim të Rios në orë 16.00 me orën vendase, 21.00 me orën evropiane.
Në aeroport ishte edhe presidentja Dilma Roussef, por ceremonia e mirëseardhjes u
mbajt në Pallatin e Guanabarës, seli e qeverisë së Shtetit të Rios. Papa deshi
t’i vinte menjëherë vulën e tij krejt të veçantë edhe këtij shtegtimi, duke e përqafuar
popullin brazilian nga xhipi i tij i zbuluar që, ndërmjet dy turmave në festë, përshkoi
udhët e Rios, nga katedralja, deri në pallatin presidencial, ku Ati i Shenjtë u takua
me presidenten Rousseff, e para, që e priti Papën tek shkallët e avionit, së bashku
me kryeipeshkvin e Rios, imzot Tempestën. Domethënëse edhe vetura e bardhë, e stilit
tipik Bergolian, me të cilën Papa Françesku u largua nga aeroporti, aq sa t’i çorientonte
njerëzit në dy anët e udhës, që prisnin vetura më elegante, pas veturës së bardhë,
të thjeshtë, papnore. E njerëzit e sigurimit nuk e patën aspak të lehtë, kur grupe
të tëra të rinjsh iu sulën veturës së Papës, me duar të zgjatura, për të shtrënguar
dorën e Atit të Shenjtë. Ishte një sulm aq i vrullshëm, sa kortezhi mbeti për disa
minuta i bllokuar në mes të rrugës së qytetit të madh brazilian. E pikërisht Brazilit
ia kushtoi Papa Françesku fjalimin e tij të parë, përshëndetjen e parë. Ati i Shenjtë
Françesku e nisi takimin e parë me Brazilin, duke falënderuar Provaninë hyjnore për
këtë shtegtim të parë apostolik ndërkombëtar, me vetëdijen se për t’u mikpritur nga
populli brazilian, duhet hyrë nga porta e zemrës së tij të madhe. Mora guximin
të trokas ëmbëlsisht në këtë portë, vijoi Ati i Shenjtë, e duke bërë të vetat fjalët
e Apostullit, tha haptas: ‘Nuk kam as ar e as argjend, por sjell me vete
gjënë më të çmuar, që m’u dhurua: Jezu Krishtin’, edhe unë vij në emër të Tij, për
të ushqyer flakën e dashurisë, që digjet në çdo zemër. Paqja e Krishtit qoftë me ju!”. Papa
Françesku nënvizoi, më pas, se erdhi në Brazil të takojë të rinjtë e mbledhur nga
të katër anët e botës, të tërhequr nga krahët e hapur të Krishtit Shëlbues, për ta
ndjerë veten pranë zemrës së Tij e për të dëgjuar thirrjen e Tij të fuqishme: “Shkoni
e bëni dishepuj të gjithë popujt!’. Janë të rinj, që flasin gjuhë të ndryshme,
mbartin kultura të larmishme, e megjithatë, gjejnë të vërtetën e kulluar dhe dashurinë,
që i bashkojnë përtej çdo ndryshimi. Është një energji e fuqishme. Çlirohet me vrull,
kur të rinjtë pushtohen nga përvoja e Krishtit. Domethënëse, fjalët e mëtejshme
të Papës Françesku: “Duke iu drejtuar të rinjve, u flas edhe familjeve të
tyre, bashkësive të tyre kishtare e kombëtare, shoqërive, në të cilat jetojnë. Fëmijët
janë bebja e syve tanë, dritarja, përmes së cilës hyn drita në shpirtin tonë. Rinia
është dritarja nëpër të cilën hyn ardhmëria në botë e, prej këndej, na vë përpara
sfidave të mëdha”. Breznia jonë do të jetë në lartësinë e premtimeve,
që ka çdo i ri, kur do të dijë t’i japë hapësirën e duhur, t’i japë baza të shëndosha,
mbi të cilat mund ta ndërtojë jetën, t’i garantojë sigurinë e edukimin, t’i transmetojë
vlera të qëndrueshme, për të cilat ia vlen të jetosh. Në përfundim Papa Françesku
u kërkoi të gjithëve të kenë fisnikërinë e vëmendjes, e, po të jetë e mundur, edhe
aftësinë për ta kuptuar tjetrin e për të krijuar kështu, një dialog ndërmjet miqsh.
Pastaj Ati i Shenjtë e rroku mbarë kombin e pamasë brazilian, me gjithë pasurinë e
tij njerëzore, kulturore, fetare: “Nga Amazona, deri në pampa, nga zonat
e shkreta, në Pantanal, nga viset e vogla, deri te metropolet e mëdha”.