Më 23 korrik kalendari përkujton shën Brigjidën e Suedisë
Sot me 23 korrik, kalendari Kishtar përkujton Shën Brigjidën e Suedisë, Bashkëpajtore
e Evropës. Grua e nënë, fisnike dhe e përkushtuar varfërve, mistike e Mundimeve të
Krishtit, Shenjte e Pajtore Qiellore e Evropës: kjo me pak fjalë është Shën Brigjida
e Suedisë, përkujtimin liturgjik të së cilës Kisha e kremtoi sot. Lindi në Finstad
të Suedisë në qershor të vitit 1302 në një familje fisnike, thellësisht të krishterë.
I ati, Birgen Person, gjykatës dhe guvernator i zonës Upplan, njihet si autor i legjislacionit
të parë të krishterë në mbretërinë e Suedisë. Brigjida, e martuar në moshë të re,
qe bashkëshorte e nënë shembullore e tetë fëmijëve. Pas vdekjes së burrit, u dha pas
jetës asketike. Më 1350 shtegtoi drejt Romës me rastin e jubileut e nuk u kthye
më në atdhe. Themeloi urdhrin rregulltar të të Shëlbuemit, që njihet edhe me emrin
‘Urdhri i Brigjidineve’. Vdiq në Romë me 23 korrik të vitit 1373. Papa Gjon Pali
II e quajti Shën Brigjidën “specialiste e shpirtit" dhe i ftoi simotrat e saj të jenë
kudo ndërtuese të palodhura të ekumenizmit të madh të shenjtërisë. E Benedikti
XVI, duke folur, mase tri vjet më parë, për Shën Brigjidën, Pajtore e Evropës, në
ditën e festës së saj, theksoi: “Erdhi nga Suedia në Romë e, prej këndej, shtegtoi
në Tokën Shenjte; na fton kështu ta ndihmojmë njerëzimin të gjejë paqen e vërtetë
pikërisht në Tokën Shenjte”. Kujtojmë se Urdhri i Motrave Brigjidine, veprimtaria
ekumenike e të cilave vlerësohet shumë në viset veriore të Evropës, ku ka pak katolikë
e ku prandaj dialogu është më i rëndësishëm se gjetiu, sot numëron 600 motra rregulltare
dhe 45 bashkësi të përhapura në mbarë botën. “Amor Meus Crocifixus est” – “Dashuria
ime është i Kryqëzuari” – ishte motua e Shën Brigjidës. Karizma e saj ishte lavdërimi
i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve të njerëzimit dhe
bashkimi i Kishës. Ajo i mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në
të gjitha fushat e shoqërisë. Shën Brigjida Pati meritën t’i bënte të vërtetat e fesë
të kuptueshme për popullin, sepse i foli me një gjuhë që ndizte fantazinë, prekte
zemrat, hapte horizontet e amshimit.