Papa në lutje, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe
Ati i Shenjtë Françesku shkoi, të shtunën mbasdite, në Bazilikën e Shën Marisë së
Madhe, për t’i kërkuar Zojës mbrojtje gjatë shtegtimit të tij apostolik në Brazil,
për vete, për të rinjtë, që do të mblidhen në Ditën e tyre Botërore të Rio-de-Zhanéjros
si dhe për të gjithë të rinjtë e botës. Papa arriti rreth orës 16. 45 në Bazilikë,
ku u prit nga kardinali-kryeprift Santos Abril y Castellò. U gjunjëzua, pastaj, para
figures së mrekullueshme të Shën Marisë, Shpëtimi i Popujve Romakë, i rrethuar nga
etërit domenikanë, që shërbejnë në Bazilikë. Papa ndenji gjatë në lutje para Zojës
së Bekuar, pastaj vuri një kurorë lulesh mbi elter e ndezi një qiri, me stemën simbolike
të Ditës XXVIII Botërore të Rinisë. Me që Bazilika ishte e hapur për publikun
e qenë të pranishëm shumë besimtarë, Papa, para se të largohej, u ndalua te elteri
i madh i Bazilikës, ku ndoqi një përshëndetje të shkurtër nga kardinali-kryeprift
dhe u drejtoi disa fjalë besimtarëve, duke u kërkuar ta shoqërojnë me lutje, besim
e pendesë shtegtimin e tij në Brazil dhe takimin me të rinjtë e mbarë botës.Vizita
zgjati më pak se një orë.