2013-07-21 15:41:41

Papa Françesku “ Kjo javë do të jetë një javë e rinisë"


Lutja e veprimi, dëgjimi i Fjalës së Zotit e shërbimi konkret ndaj të afërmit, nuk janë përmasa, që i kundërvihen njëra-tjetrës, por aspekte themelore për jetën tonë në fe: këtë pohoi Papa sot, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, përballë besimtarëve të shumtë, mbledhur, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa Françesku u kërkoi atyre dhe të gjithë besimtarëve, ta shoqërojnë me lutje në shtegtimin e tij të parë apostolik në Rio-de-Zhanéjro, që do ta nisë nesër në mëngjes, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë.
Në qendër të reflektimit të Papës, faqja e Ungjillit e kësaj së diele, që flet për dy motrat, Martën e Marinë. Nësa Zoti ishte mik në shtëpinë e tyre. Marta merrej me punët e shtëpisë e Maria, tek këmbët e Jezusit, dëgjonte fjalën e Tij. Marta i ankohet Jezusit, duke i kërkuar ta qortojë Marinë, që s’luan vendit, edhe pse ajo ka nevojë për ndihmë. Po Zoti i përgjigjet ëmbëlsisht e i kujton se “vetëm një gjë është e nevojshme”. Duke shpjeguar tekstin, Papa saktësoi:
“Mbi të gjitha, ka rëndësi të kuptosh se nuk është fjala për kundërvënie ndërmjet dy mënyrave të sjelljes: dëgjimi i Fjalës së Zotit, kundrimi, është shërbim konkret, që i bëhet të afërmit. Nuk janë dy sjellje të kundërta, përkundrazi, janë dy aspekte, që nuk duhen ndarë kurrë, por duhen jetuar në bashkim e harmoni të thellë”.
“Po atëherë, pyeti Papa, pse Jezusi e qorton, ndonëse ëmbëlsisht, Martën?”:
“Sepse ajo e shikon si themelore, atë që po bënte, krejt e thithur dhe e shqetësuar nga punët e shumta. Për të krishterin, veprat e shërbimit e të bamirësisë nuk shkëputen kurrë nga burimi kryesor i veprimtarisë sonë: domethënë, nga dëgjimi i Fjalës së Zotit, nga ndenja, si Maria, tek këmbët e Jezusit, me vëmendjen e dishepullit”.
Prej këndej, nxitja e Papës Françesku:
“Edhe në jetën tonë të krishterë, të dashur vëllezër e motra, lutja e veprimtaria janë gjithnjë thellësisht të bashkuara. Lutja, që nuk sjell veprimin konkret ndaj vëllait të varfër, të sëmurë, nevojtar për ndihmë, vëllait në vështirësi, është lutje shterpë, e paplotë. Por, në të njëjtën mënyrë, kur në shërbimin kishtar i kushton vëmendje kryesisht sendeve, funksioneve, strukturave, harron se në qendër është Krishti e nuk i lë pak kohë dialogut me Të në lutje, rrezikohesh t’i shërbesh vetvetes e jo Zotit, të pranishëm në vëllain nevojtar”.
Shën Benedikti, shtoi Papa, e përmblidhte stilin e jetës, që dëshironte për murgjërit e tij, në dy fjalë të vetme: “ora et labora”- “lutu e puno!”:
“E nga kundrimi, nga lidhja e fortë e miqësisë me Zotin, lind në ne aftësia për ta jetuar e për t’ua çuar dashurinë e Zotit, mëshirën, dhembshurinë e Tij edhe të tjerëve. E edhe puna jonë me vëllain nevojtar, puna jonë bamirëse në veprat e mëshirës, na e sjell Zotin pranë, sepse ne shikojmë pikërisht Zotin në vëllain e motrën, që kanë nevojë”.
Më pas Ati i Shenjtë i lartoi Marisë, Nënës së dëgjimit e të shërbimit, lutjen që të na mësojë ta meditojmë në zemrën tonë fjalën e Birit të saj e të lutemi me besnikëri, për të qenë gjithnjë të vëmendshëm konkretisht ndaj nevojave të vëllezërve.
Në përfundim, gjatë përshëndetjeve, pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa, duke shikuar një parullë ku ishte shkruar “Udhë të mbarë!”, u kërkoi besimtarëve ta shoqërojnë shpirtërisht me lutje në misionin e tij apostolik në Rio-de-Zhanéjro, për DBR-së:
“Do të jenë shumë të rinj atje, nga të katër anët e botës. E mendoj se kjo mund të quhet Java e Rinisë: ja, pikërisht Java e Rinisë! Protagonistët e kësaj Jave do të jenë të rinjtë. Të gjithë ata, që vijnë në Rio, duan ta dëgjojnë zërin e Jezusit, ta dëgjojnë Jezusin: ‘Zot, ç’duhet të jap nga jeta ime? Cila është udha ime?’. Edhe ju, nuk e di nëse ka të rinj sot në Shesh: a ka të rinj? Ja: edhe ju, të rinjtë, që jeni në Shesh, bëjani të njëjtën pyetje Zotit: ‘O Zot, Jezus, ç’duhet të bëj me jetën time? Cila është udha për mua?’. T’ia besojmë ndërmjetësimit të së Lumes Virgjër Mari, që është aq e dashur në Brazil, këto pyetje: atë, që do të bëjnë të rinjtë atje, e këtë, që po bëni ju, sot. E Zoja e Bekuar na ndihmoftë në këtë etapë të shtegtimit. Të gjithëve ju uroj të diel të gëzuar. Drekën e mirë. E mirupafshim!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.