2013-07-19 17:19:12

Gjergj Meta: Nota të trishta mbi pentagrame femërore!


Në hyrje na priste një varg burrash si e do dokja e atyre fshatrave. I njëjti ritual: -“A u mërzitët?”-“Boll besa” -“Zoti u dhashtë kivet!” - “Pac kivet!”. Të njëjtat fjalë, të njëjtat ritual tash sa mote e shekuj. Unë shkova direkt e te kufoma për të bërë ritualin e salikimit sipas liturgjisë katolike. Famullitari i atij fshatit nuk ishte në ato ditë e m’u desht mua të shkoja për të përcjellë në banesën e fundit E. që e kishte vrarë i shoqi duke e rrahur. Bashkë me mua ishte edhe një prift tjetër që rastësisht ndodhej në Shqipëri ato ditë të cilin e mora me vete. Sapo u afrova të gjithë u ngritën në këmbë. U ngritën se erdhi prifti. Të gjithë më njohin në ato zona pasi kam shërbyer, por edhe sepse jam i lidhur nëpërmjet farefisit e ndër ta kam shumë kushërinj e të afërm. Ia nisa lutjes, por sytë i ngula në fytyrën e E. të cilën e kishin veshur dhe lyer sa më bukur kishin mundur. Megjithatë makiazhi nuk ia fshihte shenjat e nxirjes në fytyrë. Një vajzë më pak se 30 vjeçe, nëna e tre fëmijëve të mitur, më i madhi 9 vjeç. Në sytë e të gjithëve shihej vuajtje, lot dhe shumë dhimbje. Ndërkohë lexova një pjesë nga Shën Pali ku thuhet se “…atdheu ynë është qielli”. Po! Sigurisht për atë që nuk është më, pasi unë besoj se ka edhe një jetë tjetër, por për ato foshnje të mbetura pa nënë atdheu është ende toka, kjo toka jonë ku ata do të jetojnë tani, e kushedi edhe për sa vjet, sigurisht pa nënën e tyre dhe larg babait që u vrau nënën. Fytyra e E. më mbeti gdhendur në mendje e megjithëse kanë kaluar disa ditë që kur ka ndodhur edhe ndërsa shtrij këto rreshta ende e kam para sysh. Mbarova lutjen së bashku me ata që ishin aty ndërmjet lotëve e dënesit të të afërmëve, nënës e njerëzve të tjerë. Nuk ika menjëherë pas lutjes, por u ula të pija kafen e mortes. Aty ishin vetëm burra! Heshtje! Ose jo, edhe ndonjë fjalë me mëtimin e ngushëllimit. Në këto raste në të vërtetë fjalët janë të tepërta, sepse dhimbja është e madhe. E vetmja fjalë që shkon në këto raste është fjala e pranisë, një fjalë që nuk nxjerr tinguj, por flet duke ngushëlluar. E imja ishte një prani: e Hyjit nëpërmjet Fjalës së tij dhe e imja nëpërmjet qenies time aty.
E ndërkohë mendoja: Kjo verë e ftohtë vrau! Sa nota të trishta u shkruan mbi pentagrame femërore. E po ti mbledhësh se sa në shekuj femra është vrarë e dhunuar do të krijohej patjetër një simfoni: simfonia e së keqes, e ferrit. Edhe E. ishte e re me plot ëndrra për jetën, për fëmijët e saj që t’i shihte të rritur. Sa herë ajo ka sakrifikuar, ka kaluar gjërat për hir të fëmijëve…e sa herë kështu shumë e shumë gra e nëna e kanë bërë këtë gjë. Sigurisht u trishtova, por me vete mora sfidën. Dhe sfida hap shpresën. Sa ia vlen të trishtohesh? Sa ia vlen të thuash ky vend nuk bëhet? Këta njerëz nuk bëhen? Sa ia vlen të thuash e ka fajin ky apo ai? Vlen shumë pak ose asgjë. Ne të tjerët, ata që mendojmë se të tjerë e kanë fajin, ne të “mirët” duhet të kapim sfidën, çastin, e të fillojmë nga e para. Dhe të parët janë fëmijët dhe edukimi i tyre. Pa filluar prej atyre vocërrakëve meshkuj e femra të mitur nesër nuk mund të kemi burra e gra që respektojnë e duan njëri tjetrin. Aty ku unë punoj çdo ditë shoh se sa shumë dhunë ka, se si një pjesë e mirë e të miturve kanë edhe dosje penale në prokurori e askush nuk merret me edukimin e tyre përveçse famullisë ndoshta. Të tjerët “bëjnë detyrën” e tyre që do të thotë, nëse bëjnë faj i cojnë në burg ose përjashtim nga shkolla nëse nuk rrinë mirë në klasë. Por ky nuk është edukim. Varfëria, moskujdesi prindëror, konfliktualiteti i ushqyer në rrugë apo edhe në media elektronike e virtuale rrisin breza të dhunshëm e konfliktualë. Nëse sfida edukuese nuk na prek përsëri nesër do të kemi burra që sundojnë, dhunojnë e vrasin gra, vetëm sepse fizikisht kanë qëlluar më të fortë.
Ndërkohë dolëm bashkë me priftin tjetër. Përsëri një rresht burrash, të njëjtat fjalë e rituale sipas dokes së vendit. Prej aty do të shkoja te familja e Klevisit 11 vjeç që u mbyt në liqen në një fshat po aty afër. Sapo u ngjita në makinë prifti tjetër që ishte me mua më tha: “Dom më duket se duhet të jesh i kujdesshëm kur lexon lutjet”. U ktheva vrik dhe e pashë i çuditur duke i thënë: “Pse po më thua kështu?”. E atëherë m’u përgjigj: “Gjatë lutjes ti po lexoje atë çka ishte shkruar në ritual duke iu drejtuar të ndjerës me fjalët: Të pranoftë Krishti që të ka thirrë. Atë nuk e thirri Krishti e vrau i shoqi…”. E vërtetë! Nuk fola më, por mendova se në fakt nuk e kishte thirrur Krishti në atë moment që ajo po jepte shpirt nën goditjet e të shoqit, por sigurisht mendova që Krishti bashkë me të është dhunuar e ka vdekur e po ashtu Ai, edhe pse në pakuptueshmërinë e një arsye vetëm njerëzore, ka folur duke thënë: “Fale o Atë se nuk e din ç’bën. Fale për hir të atyre fëmijëve që së paku të kenë një pikë referimi në jetën e tyre me shpresën se një ditë ai, nën peshën e madhe të fajit a nën lehtësimin e madh të faljes, do t’i ripërqafojë fëmijët e tij e do t’u thotë: kurrë më! Ju mos bëni atë që unë bëra para syve tuaj. Amen!”.
(Nga Gjergj Meta)







All the contents on this site are copyrighted ©.