2013-07-19 16:24:14

Barinj të popullit, jo priftërinj të shtetit


Pa ‘pse’ e pa ‘por’, revolucioni i quajtur Françesk, zbarkoi stuhishëm në Romë. E pas zbarkimit, ndërmjet shumë takimesh, është edhe një, jo i zakonshëm. Ftesën e papritur, tejet personale, ia dërgoi me dorën e vet kardinali Agostino Valini, mëkëmbës i Papës për Romën, të gjithë famullitarëve të qytetit kapitolin.
Më 16 shtatorin e ardhshëm, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Papa Françesku do të takohet me klerin e Romës, për ta përfocuar në fe dhe për t’i dhënë zemër në shërbim. Për ta parapërgatitur takimin, shpjegon kardinali Valini, Papa më kërkoi t’u dërgoj të gjithëve reflektimin, që ua pati drejtuar meshtarëve të kryedioqezës së tij të Buenos Ájres më 2008, pas Konferencës së Episkopatit Latino-amerikan të Aparesidës (Brazil).
Në Romë, me ardhjen e Papës Françesku, fryn erë e re baritore. Qyteti, për shkaqe historike shumë i lidhur me kulturën papiste, nganjëherë nuk e ka të lehtë ta përballojë një revolucion teologjik, baritor e kishtar, si ky që solli me vete Papa i ardhur nga larg. Kardinali Valini është pushtuar krejt nga tensioni shpirtëror, që solli ipeshkvi i tij i ri e nuk e humbet rastin për t’u kujtuar priftërinjve të dioqezës se duhet të pasionohen më shumë për të thelluar dialogun me botën, sesa për të kryer ‘funksionet’ e zakonshme.
Këtë e provon edhe dokumenti përgatitor, që u është shpërndarë të gjithëve: që të jenë shpirtërisht gati për takimin e madh. Në të ka një mori reflektimesh. Flet Françesku e thotë: “Një meshtar i mirë nuk mendon kurrë për të bërë karrierë kishtare, për të ngjitur shkallët e larta e për të marrë shpërblime të larta. Identiteti i meshtarit, në lidhje me bashkësinë, është dhuratë, që s’ka të bëjë fare me me delegatin a përfaqësuesin. Prej këndej, Papa vë theksin mbi besnikërinë ndaj Krishtit, që duhet t’i prijë edhe drejtimit, kur meshtarit i duhet të drejtojë. Kështu, me dy penelata, e pikturon figurën e bariut, Papa Françesku. E kështu edhe e dëshiron.







All the contents on this site are copyrighted ©.