2013-07-18 16:16:05

Kardinali Rilko rrëfen ‘sekretin’ e suksesit të DBR-së!


“Ju jeni shpresa e Papës, jeni shpresa e Kishës”: kështu pati thënë i Lumi Gjon Pali II në vitin e largët 1987, në Avenida 9 të Julio, në Buénos Ájres, përballë mijëra të rinjsh në festë, në atë, që ishte Dita e parë Botërore e Rinisë, e kremtuar jashtë Romës. Lindte, kështu, një ngjarje e madhe kishtare, që do të përsëritej në të katër anët e botës e që pa miliona të rinj, dëshmitarë të fesë, të shtrënguar rreth papëve: një herë rreth Papës Vojtila, pastaj Benediktit XVI e, javën e ardhshme, në Rio-de-Zhanéjro, rreth Papës Françesku, papa i parë latino-amerikan, që kthehet, kështu, në kontinentin e tij të dashur. Gati një çerek shekulli pas Ditës historike të Buénos Áires, pyetëm kardinalin Stanislao Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët, organ i Vatikanit, që koordinon të gjitha Ditët Botërore të Rinisë, cili është sekreti i suksesit të këtyre Ditëve:

Pyetje: - Hirësi, cili është, pra, sekreti i këtyre Ditëve Botërore të Rinisë?

Përgjigje: - Pyetje që bëhet vazhdimisht, kjo. Shumë pyesin me habi sesi, në këtë kohë të pushtuar nga shekullarizimi, Kisha i tërheq kaq me forcë breznitë e reja të mbarë botës, sa t’i përgjigjen me mijëra ftesës së Atit të Shenjtë. Na pyesin, thënë me dy fjalë, cili është sekreti i suksesit të madh të këtyre Takimeve botërore të të rinjve rreth pasardhësit të Shën Pjetrit. I Lumi Gjon Pali II pati thënë një herë: “Çka kërkojnë të rinjtë në DBR, është vetë Krishti!”. Në një botë kaq të pështjelluar, në të cilën të gjitha siguritë shemben papritur e pa kujtuar, shumë të rinj zbulojnë në Krishtin një mik, të cilit mund t’i besojnë, një prijës të sigurtë, atë Shkëmb, mbi të cilin mund ta ndërtojnë jetën e tyre. Zbulojnë, pastaj, në Kishë, që shpesh paraqitet nga mediat si institucion i akullt e larg njeriut, një rreth të ngrohtë miqsh, që i mbështet në udhën e jetës, një familje të vërtetë, me përmasa planetare…

Pyetje: - Ç’të reja sjell Dita Botërore e Rinisë e Rio-de-Zhanéjros

Përgjigje: - Ka të reja të rëndësishme, që ia vlen t’i kujtosh. Mbi të gjitha, pas 26 vjetësh, DBR-së rikthehet në Amerikën Latine. Veç kësaj, ndërsa Papa Benedikti XVI e zgjodhi Rion si vend për kremtimet e DBR-së dhe i priu përgatitjes baritore përmes mesazhit të tij të thellë, do të jetë Papa Françesku – i pari papë latino- amerikan, që do ta kryesojë ngjarjen e madhe.
Duhet thënë, pastaj, ndonëse struktura bazë e DBR-së është gjithnjë e njëjtë, se çdo edicion i këtij takimi është ndryshe, sepse ndryshojnë rrethanat kulturore e fetare të vendit, të Kishës mikpritëse. E kështu në Rio, bukuritë natyrore të qytetit karioka, shtatorja madhështore e Krishtit Shëlbues e Korkovados, do të jenë, pa dyshim, faktorë prekës, krejt të rinj. Pa harruar, pastaj, fenë e popullit latino-amerikan (e posaçërisht të Brazilit), fe plot gjallëri, plot entuziazëm e gëzim. Edhe ky do të jetë një element, që do ta karakterizojë këtë DBR-së.

Pyetje: - Ç’vulë do të ketë ky takim i të rinjve në Rio-de-Zhanéjros, me temë ftesën e Jezusit: ‘Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!’ (Mt 28,19)

Përgjigje: - Në kuadrin e Vitit të Fesë e të Sinodit të Ipeshkvijve mbi Ungjillëzimin e ri, Papa Benedikti XVI deshi t’i nxiste të rinjtë të jenë protagonistë të vërtetë të misionit të Ungjillit në botën e sotme. Për Papën Ratcinger DBR-së nuk janë tjetër, veçse “Ungjillëzim në veprim”, janë vende, ku lind një mënyrë e re për të qenë i krishterë; mënyrë rinore, plot me entuziazmin dhe gëzimin e fesë”. Në këtë vijë vijojnë edhe nxitjet e vazhdueshme të Papës Françesku: “Të rinjtë duhet t’i thonë Botës: është gjë e mirë ta ndjekësh Jezusin; e mirë, të dalësh nga vetvetja, në periferitë e botës e të jetës, për ta çuar edhe atje Jezusin...”. Mund të themi, prandaj, se kjo e Rios është Ditë Botërore e Rinisë tipikisht misionare.

Pyetje: - Kardinal Rilko, çfarë ka ndryshuar në këto 26 vjet për DBR-së pas Ditës historike të Buénos Ájres të 86-ës, pikërisht në trojet e Papës Françesku? Si kanë ndryshuar të rinjtë në këtë çerek shekulli?

Përgjigje: - Historia pothuajse tridhjetvjeçare e DBR-së, është vrojtuese e mrekullueshme e botës të të rinjve që, në këto vite, ka ndryshuar thellësisht. Në vitet ’80 ishin ende gjallë rrymat e 84-tës, domethënë, ndjehej fuqimisht polarizimi ideologjik (komunizëm-kapitalizëm). Të rinjtë dëshironin ndryshimin rrënjësor të botës, në të cilën jetonin, duke kërkuar me rrugë utopike, krijimin e një bote tjetër, një bote, që ndryshonte nga ajo ekzistuese, një bote më të mirë... Ndërsa sot shikojmë skena kulturore, shoqërore, ekonomike, politike e fetare krejtësisht të reja. E të rinjtë janë të parët, që i ndjejnë pasojat e këtyre ndryshimeve, si për mirë, ashtu edhe për keq. Mund të themi se të rinjtë janë sizmograf kulturor shumë i ndjeshëm... Sfidat më të mëdha të së sotmes janë ‘kriza e Zotit’ dhe zhdukja e tij nga horizonti i njeriut, si dhe kriza e njeriut, që vë në diskutim vetë natyrën e qenies njerëzore. Në këto rrethana kulturore, morale e fetare hutuese, DBR-së bëhen laborator i rëndësishëm feje e kërkimi të formave të reja, më të frytshme, për dialogun ndërmjet Kishës e breznive të reja, sipas fjalëve të të Lumit Gjon Pali II: “Kisha ka shumë për t’u thënë të rinjve e të rinjtë, shumë për t’i thënë Kishës” (Christifideles laici, n. 64). DBR-së dëshmojnë, përveç tjerash, se në botën e të rinjve është në zhvillim e sipër një ‘revolucion i heshtur’, siç e quan ndokush, që i bën shumë prej tyre ta rizbulojnë Krishtin si udhë, e vërtetë, jetë... Shkurtimisht, mund të themi se në shpirtin e çdo të riu ka diçka që ndryshon, e diçka që nuk ndryshon... Nuk ndryshojnë, sigurisht, pyetjet rreth kuptimit të jetës e nuk ndryshon etja për Zotin, që banon në zemrën e çdo njeriu...

Pyetje: - Shpesh besohet se DBR-së për të rinjtë janë raste feste e bashkimi, vetëm në çastin e ngjarjes së madhe e se pastaj, si kthehen në viset e tyre, gjithçka mbaron me kaq. Çfarë frytesh solli mendimi profetik i Gjon Palit II?

Përgjigje: - Një nga sfidat kryesore baritore të DBR-së, është pikërisht ndërtimi i urave ndërmjet këtyre ngjarjeve me bukuri të jashtëzakonshme e jetës së përditshme në dioqezat, famullitë, shoqatat, lëvizjet kishtare, e, në veçanti, një urë me të përditshmen e çdo të riu. DBR-së nuk duhet kuptuar në mënyrë të ngushtë, si kremtim pesëditor në praninë e Papës... DBR-së është hedhje e farës ungjillore, që ka nevojë të përgatitet më parë e të kujdeset, më pas; vetëm kështu fara e hedhur në pesë ditë feste, do të mbijë e do të japë frytin e pjekur. E frytet shpirtërore janë të shumta: kthesa të mirëfillta, ndryshime rrënjësore të jetës, zgjedhje e rrugës së meshtarisë, jetës rregulltare ose martesës së krishterë... Falë DBR-së, lindi një brezni e re të rinjsh, të rinjtë që i thonë ‘po’ Krishtit e Kishës së Tij, por edhe breznia e re e veprimtarisë baritore rinore, më e ndjeshme ndaj nevojave shpirtërore të të rinjve...

Pyetje: - Çfarë përfaqëson për Brazilin, në veçanti, kjo Ditë Botërore e Rinisë?

Përgjigje: - Sot flitet për Brazilin, si për një fuqi të madhe ekonomike botërore emergjente, por njëkohësisht, si për një vend sfidash të mëdha shoqërore, kulturore e fetare, lidhur pikërisht me zhvillimin e vrullshëm, që vijon. Mendoj se Dita Botërore e Rios do të jetë një thirrje e fuqishme për të gjithë, për t’i parë breznitë e reja si ‘pasuria e përbashkët më e çmuar e shoqërisë’ e për t’i vënë pikërisht të rinjtë në qendër të çdo projekti zhvillimi. Fatkeqësisht, në të vërtetë ndodh shpesh e kundërta, e jo vetëm në Amerikën-Latine. Si pasojë, janë të rinjtë ata, që paguajnë haraçin më të lartë, lihen pas dore, varfërohen, mbeten pa punë... Në këtë çast, të rinjtë latino- amerikanë kanë nevojë për një fllad të ri shprese, shpresë që DBR-së mund t’ua japë...
Edhe Kisha e Brazilit ushqen shpresa të mëdha për këto Ditë Botërore. Përshpirtëria popullore, që është pasuri e madhe e Amerikës Latine, duhet të përballojë sot edhe sfidën e sulmit agresiv të sekteve. Prandaj duhet ungjillëzuar në thellësi. E kështu, në këtë optikë, lindi projekti i madh i ‘misionit kontinental’ në Amerikën Latine, brenda të cilit një rol tejet i rëndësishëm u takon të rinjve. Në këtë kuptim DBR-së e Rios përfaqëson si për Brazilin, ashtu edhe për mbarë Amerikën Latine, një dhuratë vërtet providenciale....

Pyetje: - Çfarë dëshmie mund t’u japin të rinjtë brazilianë bashkëmoshatarëve, të ardhur nga bota perëndimore kaq e shekullarizuar?

Përgjigje: - Dhurata e madhe, që të rinjtë brazilianë mund të ndajnë me bashkëmoshtarët e ardhur nga bota perëndimore, është gëzimi i fesë, zgjedhja e krishterimit të jetuar me entuziazëm të madh! Kujtojmë se për Papën Benedikti XVI DBR-së janë ‘ ilaç kundër besimit të lodhur”, ndërsa Papa Françesku, në enciklikën e tij të parë, shkruan: “Feja nuk është strehë për njerëz pa guxim, por zgjerim i jetës e në këtë drejtim, Ditët Botërore të Rinisë u krijojnë të rinjve mundësitë ta shprehin me vrull gëzimin e fesë dhe impenjimin për ta jetuar pa u lëkundur, me guxim”.
Gjatë DBR-së të rinjtë e mbarë botës do të dëshmojnë se njeriu mund të besojë edhe sot, do t’i thonë njerëzimit, me jetën e tyre, se të jesh i krishterë, është një mrekulli, që ta mbush zemrën plot me gëzimin, që buron nga vetë gurra e lumturisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.