2013-07-18 15:04:22

DBR. Pas katër ditësh Papa do të jetë në Rio-de-Zhanéjro për të ringjallur shpresën në zemrat e të rinjve!


Pas katër ditësh Papa do të jetë në Brazil, ndërmjet të rinjve. Ai, Françesku, që vetëm 11 ditë pas zgjedhjes, mendimin e parë, plot ngrohtësi e dashuri e pati pikërisht për të rinjtë. Të dashur të rinj, ju pashë me shumicë gjatë procesionit, u tha Papa, duke kujtuar se e Diela e Larit, që prej 28 vjetësh, është sinonim i Ditës së Rinisë. Dita Botërore e Rinisë (DBR) është festa e të rinjve, pohoi, festa e juaj, që keni një pjesë të rëndësishme në festën e fesë:
“Ju na sillni gëzimin e fesë e na thoni se duhet ta jetojmë fenë me zemër gjithnjë të re; gjithnjë, zemër të re, edhe kur i kemi mbushur të shtatëdhjetat e të tetëdhjetat! Zemër të re! Me Krishtin, zemra nuk plaket kurrë. Por të gjithë e dimë mirëfilli se Mbreti, që ndjekim pas e që na shoqëron, është shumë i veçantë: është Mbret, që na do deri në kryq, që na mëson të shërbejmë, të duam”.
Sheshi i Shën Pjetrit u ndez nga entuziazmi e deri dielli, që deri në atë ças po e kursente dritën, çau retë e u duk mbi Katedralen e popujve nën qiell të hapur, për t’u bërë dëshmitar i jehonës së madhe, që fjala e Papës Françesku pati në zemrat rinore, duke ngjallur një gëzim të jashtëzakonshëm:
“Gëzimi ynë nuk lind nga pasja e sendeve, por nga takimi me një Vetje: Jezusin. E ne nuk e mbajmë për vete. Jo, sepse po të duam ta ruajmë këtë gëzim vetëm për vete, në fund të fundit do të zbehej, zemra do të lëndohej e fytyra nuk do të rrezatonte më gëzim të madh, por trishtim, zymti, që nuk është e shëndoshë. Disa herë të krishterët e zymtë duken më shumë si speca turshi, sesa si njerëz, që e gëzojnë me të vërtetë jetën. Gëzimi nuk mund të ngujohet: duhet të dalë përjashta. Të shpërthejë me vrull. Gëzimi është virtyt shtegtar. Dhuratë, që ecën, që fluturon nëpër udhët e jetës e i zgjeron shtigjet e saj. Është pikërisht virtyt i të mëdhenjve, atyre që qëndrojnë mbi meskinitetin, mbi vogëlsitë njerëzore, që nuk ngatërrohen në leqet e fjalëve të kota të bashkësisë, të Kishës: shikojnë gjithnjë horizontet e pafundme”.
Mendimi shkoi, pastaj natyrshëm, tek DBR-së e Rio-de-Zhanéjros, etapë që, kujtoi Papa, do ta jetojë në gjurmët e Gjon Palit II e të Benediktit XVI:
“Ju lë takim në këtë qytet të madh të Brazilit! Përgatituni mirë, posaçërisht shpirtërisht, në bashkësitë tuaja, që ky takim të jetë simbol i fesë për mbarë botën. Të rinjtë duhet t’i thonë botës: 'Është mirë ta ndjekësh Jezusin; është mirë të shkosh me Jezusin; është mirë të dalësh nga vetvetja, për të shkelur në skajet e botës e të jetës e për të çuar Jezusin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.