Më 17 korrik kalendari kujton shën Terezën e shën Agostinit e martiret e Kompienjës
Më 17 korrik kalendari kishtar përkujton shën Terezën e shën Agostinit dhe shoqet
karmelitane te Kompienjës, virgjera e martire Kuvendi i karmelitaneve të zbathura,
kushtuar Lajmërimit të Zotit, qe vendosur në Kompienjë të Francës më 1641. Para se
të shpërthente revolucioni francez, jeta në bashkësi kalonte qetë-qetë, me lutje,
meditim e punë. Revolucioni ra si stuhi mbi kuvendin paqtor. Autoritetet i urdhëruan
karmelitanet të largoheshin nga kuvendi e të hiqnin dorë nga jeta rregulltare. Por
motrat nuk pranuan. Qëndruan në kuvend deri në shtator të vitit 1792, kur i detyruan
të largoheshin. Nëna eprore, Shën Terza e Shën Agostinit, gjeti tri banesa për t’i
sistemuar rregulltaret. Para se t’i jepte lamtumirën kuvendit, e gjithë bashkësia
bëri kushtin e flijimit para Zotit, duke iu lutur që Kishës e shtetit t’u rikthehej
paqja e humbur. Që të vijonin jetën si rregulltare, pa ngjallur dyshime, më 19
shtator 1972 Nëna eprore i lejoi murgeshat të bënin betimin për idealet e revolucionit:
“Liri, barazi vëllazërim”. Por dikush i paditi. Më 21 qershor 1794 banesat u kontrolluan
imtësisht. Me që u gjetën rruzare e figure të Zemrës së Krishtit, murgeshat u burgosën,
u gjykuan e u dënuan me vdekje, me akuzën ‘të lidhura me fenë’. Më 17 korrik 16
karmelitanet u rreshtuan para gijotinës, duke kënduar himnin ‘Veni Creator’. Ranë
në duart e xhelatit, pasi përsëritën kushtet para Nënës Eprore, koka e së cilës u
rrokullis e fundmja. Përmbushën kështu kushtin që kishin bërë: u flijuan për paqen
e Kishës e të Francës. Më 13 maj 1906 u shpallën të Lume nga papa Piu X.