2013-07-16 14:14:58

Papa Françesku e Kryqi: është ‘rregulli’ i Jezusit, pa të i krishteri mbetet në gjysmë të rrugës.


“Kush nuk e merr Kryqin e vet e nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua”. I dëgjojmë përsëri, duke shfletuar Ungjillin e Shën Mateut, këto fjalë të pakundërshtueshme, me të cilat Jezusi u jep mësimin themelor dishepujve. Na kujtojnë një mori rrethanash në të cilat, me vërejtje nga më të mprehtat, Papa Françesku vë theksin mbi rëndësinë që ka Kryqi për gjithë të krishterët, meshtarë e shekullarë. Në fund të fundit, vërejti një herë Ati i Shenjtë, krishterimi pa kryq është krishterim i mbetur në vend, në gjysmë të rrugës.
Po kujtojmë disa nga mendimet e Papës, kushtuar pikërisht Kryqit, pa të cilin mbetemi gjithnjë në gjysëm të rrugës së krishterimit. Atij Kryqi, që të rinjtë e mbarë botës, do ta mbartin pas pak ditësh, në rrugët e Rios, në Ditën e tyre Botërore. Dymijë vjet pas lartimit të tij në maje të Kalvarit.
Papa Françesku nuk do që Kisha t’i përngjasë miniaturave të një topthi qelqi, nuk e do estetikisht të këndshme, të ngrohtë dhe të qetë, por të rreme dhe të mbyllur, si në fshikëzën e krimbit të mëndafshit, ku mund të gjesh rehati, larg problemeve të mprehta, që zjejnë përjashta. Përfytyrimi i Kishës së mbetur në gjysëm të rrugës, që Papa Françesku nis ta zbërthejë që nga ora e parë e papnisë së tij, është ky: “Sallon i mirë për të bërë ‘kulturë’ të krishterë, të pastër e të impenjuar, por pa kallo në duar e pa dheun e Kalvarit në thonjtë e atij, që thotë se i përket Kishës së Krishtit. Sepse po të themi Kishë, përsërit shumë herë Papa, kemi thënë Kryq; kur themi Kishë, shikojmë realitetin lakuriq të çastit kur lindi gjithçka, pa hipokrizi e pa kurora të kota dafinash.
Por ka edhe tundime të tjera; tundim i krishterimit me kryq, por pa Krisht. Tundimi i joshjes për të qenë të krishterë, që ndalohen në mes të udhës, Kishë që mbetet në mes të udhës, që nuk do të mbërrijë atje, ku do Ati. Ky është tundimi i triumfalizmit. E duam trumfin në çast, pa shkuar tek Kryqi, triumf ashtu si e kupton bota, triumf i arsyeshëm:
Triumfalizmi në Kishë e ndal në vend Kishën. Triumfalizmi në të krishterët, i ndalon në mes të rrugës të krishterët. Është Kishë triumfaliste, Kishë në gjysmë të rrugës, Kishë që ndjehet e lumtur kështu, e rregulluar mirë e bukur! Me të gjitha zyrat e duhura. Gjithçka në rregull, gjithçka për bukuri, e? E aftë. Por një Kishë që mohon martirët, nuk e di se martirët janë të nevojshëm në Kishë, për të kuptuar udhën e Kryqit. Një Kishë, që s’mendon për tjetër, veç për triumfe, suksese, nuk e di këtë rregull të Jezusit: rregullin e triumfit përmes dështimit, dështimit njerëzor, dështimit të Kryqit. E ky është tundim që, nga pak, e kemi të gjithë”(Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 29 maj 2013).
Tundim i përgjithshëm, që merr forma të ndryshme sipas mënyrës si jeton i krishteri, por që përfundon me të njëjtën prirje: me përpjekjen për të ikur. Kështu, në katër muaj papni, Papa Françesku e kaloi në revistë Kishën e çdo rendi e grade, për të hyrë në thellësi të saj, në indin ndërlidhës të fesë së çdo kategorie besimtarësh, në të vërtetën, që buron nga flijimi i Krishtit.
Ipeshkvijve, duke cituar Papën e nderit, Benediktin, Françesku u kujtoi një frazë, e cila e preku thellë turmën e pushtuar nga emocioni i fortë qysh në fillim të leximit të faqes ungjillore, kushtuar Mundimeve të Krishtit. E pikërisht duke shpjeguar këtë skenë, më tragjikja në historinë e njerëzimit, i cili gozhdon një Zot, Papa kujtoi fjalën e dytë: “Kryqin”, pasi pati theksuar paradoksin e Jezusit, mbret, froni i të cilit është një kryq druri. E, në vijim, fjalët që Benedikti XVI ua thoshte kardinajve:
“Ju jeni princa, por të një Mbreti të kryqëzuar. Ky është froni i Jezusit. E pikërisht nga ky fron zbret gjaku, që lan, me mëshirë të pafundme, sëmundjet e botës. Jezusi merr mbi vete…. E pse Kryqi? Sepse Jezusi merr mbi vete të keqen, ndyrësinë, mëkatin e botës, edhe mëkatin tonë, mëkatin e ne të gjithëve, dhe e lan, e lan me gjakun e vet, me mëshirën, me dashurinë e Hyjit. Këtë të mirë na bën ne të gjithëve Jezusi, nga froni i Kryqit. Kryqi i Krishtit, i rrokur me dashuri, nuk të mbush kurrë me trishtim, por me gëzim, me gëzimin e njeriut, që u shëlbua e që bën nga pakëz, atë që bëri Zoti në ditën e vdekjes së Tij”(Mesha të Dielën e Larit, 24 mars 2013).
Paradoks i amshuar i Kryqit: për atë, që e rrok me bujari, kulmi i dhimbjes prodhon frytin e kundërt, atë të gëzimit. E…
“Fryti baritor, fryti i kumtimit të Ungjillit nuk sigurohet as nga suksesi, e as nga mossuksesi sipas kritereve të vlerësimit njerëzor, por nga njësimi me logjikën e Kryqit të Krishtit, që është logjika e daljes nga vetvetja, për t’u dhuruar, është logjika e dashurisë. Është kryqi, gjithnjë kryqi me Krishtin, sepse nganjëherë na ofrojnë kryq pa Krisht; e kjo nuk shkon! Kryqi siguron suksesin e misionit tonë. Nga Kryqi, akti më i lartë i mëshirës e i dashurisë, rilindim si krijesa të reja”.
E si të ishte katekist, çdo ditë, me të njëjtin impenjim, nga një dritare mbi njëqindmijë njerëz a një elter mbi 50, Papa Françesku u shpjegon të gjithëve, gra e burra, atë që Kisha e shenjtorët e kumtojnë dhe e dëshmojnë që prej dymijë vjetësh: Kryqi i Krishtit është dru, që flet për dashuri, për falje!
Kryqi i Krishtit është Fjala, me të cilën Hyji iu përgjigj së keqes së botës. Nganjëherë na duket se Hyji nuk i përgjigjet së keqes, se rri në heshtje. Në të vërtetë Zoti foli, u përgjigj, e përgjigjja e tij është Kryqi i Krishtit: një Fjalë, që është dashuri, mëshirë, falje. E edhe gjykim:
“Zoti na gjykon, duke na dashur. Ta kujtojmë këtë: Zoti na gjykon duke na dashur! Nëse e pranoj dashurinë e tij, shpëtoj, nëse nuk e pranoj, dënohem, jo prej Tij. Dënoj vetveten, sepse Hyji nuk dënon; Ai di vetëm të dojë e të shëlbojë. Të dashur vëllezër, fjala e Kryqit është edhe përgjigjja, që i japin të krishterët së keqes, e cila vijon të veprojë në ne e rreth nesh. Të krishterët duhet t’i përgjigjen së keqes me të mirë, duke marrë mbi vete kryqin, si Jezusi”(Udha e Kryqit në Koloseum, 30 mars).
Të Dielën e Larit, një planet të rinjsh i kishte sytë të mbërthyer mbi Sheshin e Shën Pjetrit, prej nga fliste Papa i ri. Edhe atyre, që do të jenë shtylla kurrizore e Kishës të së nesërmes, Papa deshi t’u besonte një mendim për Kryqin, për të njëjtin Kryq i cili, pas pak ditësh do të përshkojë rrugët e Rios, mbi supet e të rinjve, në një nga Udhët e Kalvarit që tundin ndërgjegjen e fjetur të botës, nga Ditët Botërore të Rinisë. E sidomos, për Zotin, i cili i shtriu vetë krahët, që ta mbërthenin mbi Kryq, duke qenë Mbret:“Është mbret që do deri në kryq e që na mëson të shërbejmë, të duam. E ju nuk keni turp nga Kryqi! Përkundrazi, e rrokni, nga që e keni kuptuar se në dhurimin e vetvetes, në daljen nga vetvetja, gjindet gëzimi i vërtetë e se mbi të keqen mund të fitohet me dashuri. Ju e merrni me vete Kryqin shtegtar përmes kontinenteve, përshkoni me të mbi supe, shtigjet e botës! E mbartni duke iu përgjigjur ftesës së Jezusit: ‘Shkoni e bëni dishepuj të gjithë popujt!’ (Mt 28,19), që është edhe tema e Ditës Botërore të Rinisë së këtij viti” (Mesha e së Delës së Larit, 24 mars 2013).







All the contents on this site are copyrighted ©.