2013-07-16 15:20:19

Në periferi të universit: Papa Françesku në Vrojtoren astronomike të Vatikanit


“Njoftojmë me gëzim se Papa Françesku drekoi me bashkësinë jezuite të Vrojtores astronomike të Vatikanit”. Hapet me këto fjalë një sërë mesazhesh në Twitter të jezuitëve astronomë të Kastel Gandolfos në gjuhën italiane, e pastaj në atë angleze, spanjolle e franceze, të dielën e kaluar. Vrojtorja astronomike e Vatikanit e ka ‘shtabin e përgjithshëm’ në Vilat Papnore të Kastel Gandolfos. Ndërsa selia historike, në Pallatin Papnor, pikërisht mbi apartamentin e Papës, vijon të strehojë kupolat me teleskopët e fuqishëm, që sodisin gjithësinë. Po vrojtimet kryesore, kohët e fundit, bëhen në qendrën e re të kërkimeve shkencore The Vatican Observatory Research Group (VORG) në SHBA, e pikërisht në Tucson, pranë Steward Observatory dell'Università të Arizonës. Për vizitën e Papës në këtë qendër, që dallohet si një nga institucionet më të lashta të kërkimeve astronomike në botë, folëm me atë José Gabriel Funes, drejtori i Observatorit astronomik të Vatikanit:

Përgjigje: - Një ditë mrekullisht e bukur për ne jezuitët, punonjës të Vrojtores astronomike të Vatikanit. Mikpritëm Papën, e shoqëruam në lokalet, që kemi këtu, në Kastel Gandolfo. Papa shfletoi disa libra të lashtë, më të çmuarit këtu, në Kastel Gandolfo, si për shembull një kopje të librit të Kopernikut De revolutionibus, pastaj Principia të Isaac Newton e akoma, La riforma del calendario gregoriano dhe Le Tabelle të atë Klavios, që mori pjesë në këtë reformë. Vizitoi, më pas, edhe laboratorin e meteoritëve, ku ndoqi në mikroskop, një meteorit të rënë në Buenos Ajres. Ishte vëllau Konsolmagno, që kujdeset për mikroskopët, ai që ia përgatiti këtë të papritur të këndshme. Në përfundim të drekës, Papa nënshkroi një pergamenë, me firmat e të gjithë papëve të kohëve të fundit: nga Piu XI, deri më sot, te Papa Françesku. Ishin vërtet çaste të bukura e ne jemi shumë të kënaqur.

Pyetje: - Atë Funes, besoj se ju të Vrojtores astronomike të Vatikanit e ndjetë veten të lumtur, nësa shikonit qiellin përkrah Papës Françesku?

Përgjigje: - Sigurisht, sigurisht. Ishte një çast vërtet i bukur, edhe pse gjatë drekës mundëm të bisedojmë për veprimtaritë e projektet e Vrojtores astronomike, domethënë, për gjithçka bëjmë, për misionin tonë.

Pyetje: - Ç’do të thotë të shikosh qiellin me syrin e fesë, por edhe me atë të shkencës?

Përgjigje: - Kjo perspektivë logjike e shkencore ndihmon edhe për kuptimin më të mirë fetar të universit; por, nga ana tjetër, njohja pastërtisht shkencore është e kufizuar, në se nuk pranon mënyra të tjera njohjeje, si ajo filozofike e fetare.

Pyetje: - Nga fjalët e folura deri tani nga Papa Françesku, cili është mësimi më i fortë, që ju shërben në punën tuaj?

Përgjigje: - Besoj se është ai, mbi të cilin Papa ngulmoi që në fillim: të shkohet në skutat, e jo vetëm gjeografike, por edhe jetike. Misioni ynë bën pjesë në këtë prirje për të shkuar në skajet më të largëta, sepse ka të bëjë me universin: shkojmë mbrapa, në kuptimin se studiojmë edhe zanafillën e universit në këndvështrimin shkencor, por shkojmë edhe larg, sepse studiojmë galaktikat më të largëta, tepër të largëta... E prej këndej burojnë edhe pyetjet që duhet të bëjmë të gjithë për lidhjen ndërmjet shkencës e fesë. Mendoj se ky është misioni i Vrojtores astronomike: të shkojë në këto periferi tejet të largëta, periferi universi, që është gjithënjë dhuratë e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.