2013-07-15 17:03:48

Papa e persekutimet antikristiane: me të keqen nuk dialogohet, forca për t’iu kundërvënë, vjen nga Krishti


Papa Françesku ka folur disa herë për përndjekjen e të krishterëve e për këmbënguljen në fe. “Unë po ju çoj si delet në mes të ujqërve” u thotë Jezusi Apostujve në Ungjill, duke u kumtuar se do të dorëzohen ndër gjykata, por duke u kujtuar edhe se “kush do të ngulmojë deri në fund të fundit, do të shëlbohet”. Krishti në Ungjill i fton ndjekësit e vet të jenë të butë, si pëllumbat e dinakë, si gjarpërinjtë. Në prak të muajit të katërt të zgjedhjes në papni të Françeskut, po kujtojmë reflektimet e tij kushtuar përndjekjes së të krishterëve, që vijon në mënyra të ndryshme në të katër anët e botës.
Të jesh i krishterë, do të thotë të ndjekësh Krishtin e prandaj Papa Françesku kujton shpesh se nuk duhet të kemi frikë nga asnjë lloj persekutimi, ngado e sido që të vijë. “Do t’ju urrejnë të gjithë, për shkak të emrit tim”, thotë Jezusi në Ungjill:
“Udha e të krishterëve është udha e Jezusit. Nëse duam të jemi ndjekësit e Tij, udhë tjetër s’ka, veç asaj, që na tregon Zoti. E një nga pasojat e kësaj, është urrejtja, urrejtja e botës, e edhe e princit të kësaj bote. Bota do vetëm çka është e saj. Unë ju zgjodha nga bota: ishte pikërisht Ai, që e shpërbleu botën e që thotë ‘po ju dërgoj’! Na zgjodhi. Hir i pastër. Me vdekjen e Tij e me ngjalljen, na shpëtoi nga pushteti i botës, nga pushteti i djallit, nga pushteti i princit të kësaj bote. E zanafilla e urrejtjes është pikërish kjo: shpëtuam! E këtë princi nuk e do, nuk do të na shikojë të shpëtuar, na urren” (Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 4 maj).
Papa Françesku kujton se me princin e kësaj bote nuk mund të dialogohet, por vetëm t’i jepet përgjigje me Fjalën e Zotit, që na mbron. Duhet të kemi përvujtëri e butësi, si delet, me bindjen se na mbron Bariu. Pa të do të binim menjëherë në gojë të ujkut:
Mendojmë për Jezusin në Mundimet e Tij. Profeti thotë: ‘Si një dele që shkon në kasaphanë’. Nuk bërtet, aspak: është plot përvujtëri. Përvujtëri e butësi, Këto janë armët që princi i botës, shpirti i botës, nuk mund t’i durojë, sepse propozimet e tij janë propozime pushteti tokësor, propozime kotësish, pasurish të fituara udhëve të shtrembëra, propozime, që krijojnë frymë të ligë”.
Në Ungjill Jezusi flet edhe për misionin e Tij. E Papa i ripohon fjalët e Zotit, në shërbim të ungjillëzimit, duke i ftuar të krishterët të shkojnë në skutat e jetës e të botës:
“Sot mund t’i kërkojmë Shpirtit Shenjt të na e japë këtë zell apostolik, e edhe hirin t’i trazojmë paksa gjërat, që janë tepër të qeta në Kishë; hirin të shkojmë përpara drejt skutave të shpirtit njerëzor, skajeve të jetës. Tepër nevojë ka Kisha për këtë! Jo vetëm në toka të largëta, në gji të popujve, që nuk e njohin ende Jezusin, por këtu në qytet, në qytetin ku banojmë, ndjehet fort nevoja për kumtimin e Krishtit. Përpara, pra, siç i thotë Zoti Shën Palit: “Merrni zemër!”. (Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 16 maj 20103).
Në faqet e Ungjillit Jezusi u kujton apostujve se do të dorëzohen në gjykata, do të fshikullohen në kamxhik, do të nxirren para sundimtarëve e mbretërve ‘për shkak të Tij’, për t’u dhënë dëshmi atyre e paganëve, por njëkohësisht i fton të mos shqetësohen për fjalët që do të thonë, sepse “do të jetë Shpirti i Atit ai, që do të flasë për ta”. U kujton edhe se do të urrehen nga të gjithë, për shkak të emrit Jezus. E ky është realitet, realitet i persekutimit që, në rrjedhë shekujsh, arrin në kohët tona, ndërmjet nesh:
“Po, koha e martirëve nuk ka përfunduar: e sot mund të themi se Kisha ka më shumë martirë, sesa kishte në shekujt e parë. Kisha ka shumë burra e gra që mbulohen padrejtësisht me shpifje, persekutohen, mbyten nga urrejtja, pse besojnë në Krishtin: njëri vritet se mëson katekizmin, tjetri, sepse mban në qafë kryqin… Sot, në shumë vende, i marrin nëpër gojë kot, i përndjekin… Janë vëllezërit, janë motrat tona që vuajnë, në këtë kohë martirësh” (Mesha në Shtëpinë e Shën Martës, 15 prill 2013).
Ku e gjetën dishepujt e parë forcën për të bërë këtë dëshmi, pyet Papa, e prej nga u vjen gëzimi e guximi i kumtimit, pa marrë parasysh pengesat, as dhunën? Nuk duhet harruar, vijon Ati i Shenjtë, se Apostujt ishin njerëz të thjeshtë, nuk ishin skribë, dijetarë të ligjit, as nuk i përkisnin klasës priftërore. Si munden, atëherë, me gjithë kufizimet, e në shënjestër të autoriteteve, ta mbushnin Jeruzalemin përplot me mësimet e tyre?
“Është e qartë se këtë fakt të jashtëzakonshëm mund ta shpjegojë vetëm prania e Zotit, që ishte me ta, e e Shpirtit Shenjt, që i shtynte të predikonin. Feja e tyre bazohej mbi një përvojë të fortë personale; ata e kishin parë Krishtin të vdekur e të ngjallur, prandaj nuk kishin frikë nga asgjë e nga askush, madje i shikonin persekutimet si nder i veçantë, që u krijonte mundësinë të ndiqnin gjurmët e Jezusit e t’i përngjisnin Atij, duke e dëshmuar me jetë”.
Kjo ngjarje, që ndodhi në bashkësinë e parë të krishterë, vijon Papa, na kujton diçka tejet të rëndësishme, që vlen për Kishën e të gjitha kohëve, edhe për ne: “Kur njeriu e njeh vërtet Jezu Krishtin e beson në Të, kur e ndjen praninë e Tij në jetë e forcën e ngjalljes së Tij, nuk mund të mos e komunikojë këtë prani. E nëse ky njeri ndesh moskuptime ose kundërshtime, sillet si Jezusi gjatë Mundimeve: përgjigjet me dashuri e me forcën e së vërtetës.
Prej këndej, Papa lyp ndihmën e Marisë, që Kisha në mbarë botën ta kumtojë me guxim Ngjalljen e Zotit e të japë dëshmi bindëse, me shenja dashurie vëllazërore: “Dashuria vëllazërore është dëshmia më e afërt, që ne mund të japim për të treguar se Jezusi është me ne i gjallë, se Jezusi u ngjall. Të lutemi posaçërisht për besimtarët në Krishtin, që persekutohen: e në këtë kohë, nuk janë pak të krishterët, që pësojnë persekutime, në shumë, shumë vende! Të lutemi për ta me dashuri, me gjithë zemër, që ta ndjejnë praninë e gjallë e ngushëlluese të Zotit të ngjallur”.







All the contents on this site are copyrighted ©.