2013-07-15 17:45:18

Në Santiago të Kompostelës, nisi nëntëditëshi i lutjes


Në Santiago të Kompostelës, nisi nëntëditëshi i lutjes. Besimtarët përgatiten kështu për festën e Shën Jakut Apostull, që do të kremtohet më 25 korrik.
Çdo vit, mijëra shtegtarë, nga të katër anët e botës, nisen me mjete nga më të ndryshmet, e shpesh edhe në këmbë, drejt Shenjtërores madhështore, një nga më të njohurat në Evropë. Të nisur nga të katër pika e rruzullit, më në fund takohen në një pikë, atje ku ruhen reliket e Shenjtit.
Kremtimet e nëntëditshit i hapi sot delegati i përshpirtërisë popullore të dioqezës së Zamorës, meshtari Havier Fresnoi.
Tri ditë kremtimet do t’i kryesojë imzot Jezus Sanz Montes, kryeipeshkëv i Oviedos.
Kulmi do të arrijë në solemnitetin e Shenjtit, më 25 korrik, kur do të kremtohet Mesha solemne, shoqëruar me procesion. Gjatë Meshës spanjollët do t’i dorëzojnë simbolikisht Apostullit lëmoshët kombëtare, ndërsa në përfundim, shtegtarët do të marrin bekimin apostolik, për t’u rinisur në drejtim të katër pikave të horizontit, duke mbartur me vete kujtimin e një shtegtimi të paharrueshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.