2013-07-12 16:33:02

Shenjtorët e Javës 14 – 21 korrik


E diel 14 korrik Kisha kremton të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar, e po gjithnjë më 14 korrik kalendari përkujton shën Kamilin de Lelis, meshtar, themelues i Shërbëtorëve të të sëmurëve, që shërbejnë në mbarë botën, e edhe në Shqipëri, ku gjenden Motrat mbarështuese të të sëmurëve, siç quhen sot rregulltaret kamiliane në shërbim të spitaleve. Na kujton se nxënësi duhet t’i ngjajë mësuesit, që diti të përballojë edhe vdekjen. Ajo që ka rëndësi është që Jezusi ta njohë si nxënës të vërtetë para Atit të Tij që është në qiell.
Të hënën më 15 korrik, kalendari përkujton shën Bonaventurën, françeskan, kardinal, ipeshkëv i Albanos e doktor i Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne ka nevojë të gjejë rrugën e vet në jetë: Jezusi na fton të ecim pas tij, si grigja pas bariut, drejt gurrave të jetës. E jo vetëm në këtë botë, por në amshim.
Të martën më 16 korrik, do të kremtohet festa e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës ndër shqiptarë e njeh me emrin Zoja Karmë. Po të shtunën më 16 korrik do të përkujtohet edhe shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës. Liturgjia e festës na kujton se Jezusi është në qendër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vëmë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.
Të mërkurën më 17 korrik kalendari përkujton shën Marçelinën, virgjër, motër e shën Ambrozin, ipeshkëv; e shën Aleksin e shën Leonin IV, papë. Liturgjia na kujton se bashkimi i pakushtëzuar me Jezusin është kushti që duhet përmbushur për t’u shëlbuar. Fati i amshuar i secilit nga ne, lidhet me qëndrimin që mbajmë ndaj Zotit. Krishti na thotë edhe neve “Mjerë ti!”, kur e presim me indiferencë e nuk duam ta kuptojmë se pa Të nuk mund të kemi jetë.
Të enjten më 18 korrik, kalendari përkujton shën Emilianin, martir e shën Brunon nga Senji, ipeshkëv. Zoti hyn në jetën e njeriut në majë të gishtërinjve. Atëherë në zemra ndizet një shkëndijë dashurie e feje, e cila na shndërron e na ndihmon të gjejmë rrugën e drejtë, rrugën e fesë, që çon te Ati”.
Të premten më 19 korrik, kalendari përkujton shën Simakun, papë e shën Makrinen. liturgjia na kujton përgjigjen që Krishti i jep Hyjit: “Kështu të pëlqeu, ty, o Atë”, me të cilën miraton pa kushte vullnesën e Perëndisë. Përgjigja e Krishtit duhet të jetë përgjigja e çdo të krishteri.
Të shtunën më 20 korrik, kalendari përkujton shën Apolinarin, ipeshkëv i Ravenës e martir, shën Elia, profet e shën Aureli i Kartagjenës. Zoti ka premtuar ta shpëtojë njeriun e lodhur e të shtypur dhe e mban premtimin duke i dërguar Birin e vet, Jezusin. Por paradoksalisht, në sa na shpëton nga barra e mundimeve tona, kërkon të marrim mbi shpinë tonë kryqin e tij, e ta ndjekim pas, duke na siguruar se kjo barrë bëhet e lehtë në se mësojmë ta mbartim me zemër të butë e të përvujtë, si na mëson Ai.
Të dielën që vjen më 21 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 16-të gjatë vitit liturgjik, gjithnjë më 21 korrik kalendari përkujton edhe shën Lorencin nga Brindizi, meshtar kaupuçin doktor i Kishës, shën Prasedianin romake e shën Ezekielin profet. Liturgjia e ditës na kujton se shërimet që kryen Jezusi të shtunën, nuk duhen shikuar si shkelje e ligjit të Hyjit, por si shenjë e mëshirës së tij, që shprehet edhe në parafoljet e Izaisë profet.







All the contents on this site are copyrighted ©.