2013-07-12 15:19:38

Dom Lush Sopi: të jemi përherë meshtarë sipas zemrës së Zotit


Javën që kaloi, e pikërisht më 9 korrik, në shenjtëroren e Zojës së Madhe në Letnicë të Kosovës, katër meshtarë shqiptarë kremtuan 25-vjetorin e shugurimit meshtarak, janë: dom Lush Sopi, dom Tomë Karrica, dom Marjan Marku e dom Kelmend Spaqi.
Ky Jubile meshtarak është një falënderim e një mirënjohje Hyjit për këtë dhuratë tejet të çmueshme që është ‘meshtaria’, është një kremtim për të gjitha ato të mira të pakufishme shpirtërore e njerëzore që Zoti ka realizuar përmes veprimtarisë 25-vjeçare të këtyre priftërinjve në popullin e vet, është besim dhe mbështetje e përtërirë në duar të Hyjit, që puna në vreshtin e Tij të shenjtë, që është populli i Zotit – Kisha, të vazhdojë me përkushtim, zell e dashuri. Këta meshtarë, me 25-vjetorin e shugurimit të tyre, na kujtojnë se qëllimi është ai i përhershëm: shenjtërimi i gjithë popullit të Zotit, natyrisht së bashku edhe me klerin. Ata janë të vetëdijshëm se meshtaria është dhuratë, se është e pazëvendësueshme, se shëlbimi Hyjnor kalon nëpër meshtarinë, për të arritur tek të gjitha breznitë e të gjitha kohërave. E në anën tjetër, ky përvjetor na ndihmon të kuptojmë meshtaria nuk është mbistrukturë e Kishës, por strukturë, mbi të cilën ngrihet vetë Kisha, sepse rrezaton dëshirën e Zotit tonë Jezu Krishtit për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit. E në këtë përvjetor, pra, të lutemi për klerin, sepse meshtari, që është një Krisht tjetër në gjirin e shoqërisë e të popullit, do të duhej të kishte tiparet e Jezu Krishtit, e prej këndej, shenjtëria bëhet kërkesë jetike, pa të cilën meshtari nuk mund të kuptohet. E një meshtar e di se është i thirrur t’a mishëron praninë e Krishtit, duke e dëshmuar butësinë e tij shpëtimprurëse. Ajo që më së pari duhet të mësoi është identifikimi i plotë i me misionin e tij meshtarak.

Kisha i këshillon meshtarët, sipas gjurmëve të shenjtorëve, të jetojnë me një stil të ri të jetës, të përuruar nga Krishti duke ndjekur tri këshillat ungjillor të varfërisë, pastërtisë e dëgjesës (bindjes) si udhë e rregullt e shenjtërimit të krishterë që duhet zbatuar, secili sipas gjendjes e aftësisë personale që ka. E lidhur me këtë Shën Gjoni Vianej thoshte: “sekreti im është i thjeshtë: të japësh gjithçka e të mos mbash për vete asgjë”. E duke qenë krejtësisht i bindur pohonte: “nuk ekzistojnë dy mënyra të mira për t’i shërbyer Zotit. Ekziston një e vetme: ti shërbesh ashtu siç donë Ai të jetë i shërbyer”.
E ne po i kthehemi kremtimit solemn të Eukaristisë së Shenjtë, mbajtur më 9 korrik në Leticë, ku morën pjesë shumë besimtarë, motra rregulltare dhe ipeshkvi i vendit, e pas Meshe folëm me njërin pre tyre, dom Lush Sopin, të cilin i kërkuam një dëshmi mbi gëzimin e domethënien e këtij 25-vjetori meshtarak, ta dëgjojmë.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.