2013-07-12 14:10:57

Cilët të rinj do të takojë Papa Françesku në Rio?


Më pak se dhjetë ditë na ndajnë nga Dita Botërore e Rinisë, që do të kremtohet më 22 deri më 28 korrik në Rio-de-Zhanéjro të Brazilit. Duke kujtuar se Ditë si këto lënë gjurmë të thella në shpirtin e pjesëmarrësve, nuk mund të mos bëjmë një nga pyetjet më të rëndësishme, kushtuar pikërisht lidhjes së të rinjve me fenë në ditët tona. Takimi i Rios pritet me interes të veçantë, jo vetëm si shtegtim i parë Apostolik i Papës, që duke dalë jashtë Italisë, rikthehet në Kontinentin e tij, por edhe për temën e rinisë së krishterë që, përtej takimeve të mëdha, lidhet ngusht me ardhmërinë e Kishës. Janë të rinjtë ardhmëria e Kishës dhe e krishterimit! Por Planeti i të rinjve ngre një mori pyetjesh, që kërkojnë përgjigje të ngushtme: kërkojnë azhurnimin e kanuneve të gjuhës e të propozimit, rikthimin me forcë tek takimi me Fjalën e Zotit, me Jezu Krishtin, burim i çdo përvoje njerëzore të fesë. Sipas specialistëve të punës me të rinjtë, krishtërimi në perëndim mund të lulëzojë vetëm nëse do të thellohet lidhja e Kishës me të rinjtë në shoqëritë pas-tradicionale. Kështu mund të zgjidhet edhe kriza e pjesëmarrjes së tyre në jetën e famullisë, të shoqatave e lëvizjeve, duke i ndihmuar ta luajnë përsëri me sukses rolin e tyre në jetën e përditshme të Kishës e të shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.