Duke shfletuar kalendarin historik, më 12 korrik, kujtojmë përvjetorin e vdekjes
së Atë Leonard de Martino, françeskanarbëresh. Më 12 korrik
1923 u nda nga jeta, në Napoli, poeti e shkrimtari arbëresh Atë Leonardo de Martino.
De Martino (1830-1923, nga fshati Greçi i Kampanjës në krahinën e Avelinos, që i ri
u nis si misionar në Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për
hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri. Kreu shërbimin meshtarak kryesisht
në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu
si sekretar i Prenk Pashës, princ i Mirditës dhe si kujdestar i të birit të Pashës,
Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël,
Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në
Poetin i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më
të larta. E kjo mund të konsiderohet edhe kryevepra e fratit de Martino. Atë Leonardi
u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX. Në historitë e letërsisë shqipe thuhet
se doli në pension, duke harruar se ai ishte rregulltar katolik e meshtar e se rregulltarët
nuk e dinë ç’është pensioni, sepse i shërbejnë Zotit deri sa mbyllin sytë për dritën
e kësaj bote. E de Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin
e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923. I la trashëgim kulturës shqiptare pasurinë
që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit në provincën françeskane: veprat, të përkthyera
e origjinale, shkruar në dialektin gegë. Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’,
variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso
Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d'Istrias më 1868; ‘Munnimi
i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios
(1698-1782) e, sidomos, veprën origjinale lirike ‘L'Arpa di un italo-albanese, (Harpa
e një arbëreshi), Venedik 1888. Është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh
e poezisë më të pjekur e më të përpunuar të De Martinos në italisht e në shqip, shkruar
me finesë e pasuri metrike të pazakontë për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për
pjesën teatrore të shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’, Shkodër 1880, e para në llojin
e vet në shqipe. Emri i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit
të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm
festiv, kushtuar Zojës së Bekuar, është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara.