Papa Jozef Ratcinger në katekizmin kushtuar Shën Benediktit më 9 prill 2008 mes tjerash
tha: në se nuk i njeh rrënjët e veta të krishtera, Evropa nuk mund ta zbulojë identitetin
e saj. Shën Benedikti është “njeri i cili, me ‘Rregullën’ e tij të famshme, solli
një tharm shpirtëror, që i dha Evropës së kohës, një unitet të ri shpirtëror e kulturor,
të bazuar mbi fenë e krishterë, pohoi mes tjerash Papa Racinger për Shën Benediktin
nga Norçia. Edhe sot, si në kohët e Shën Benediktit Evropa është në kërkim të identitetit.
E ky identitet nuk mund të mos ngrihet mbi ato rrënjë të lashta të krishtera, që jeta
murgare benediktine i shtriu në të gjithë kontinentin. Evropa e shekullit V, Evropa
e shekullit XX. E para, si u shemb sistemi unifikues, imponuar nga perandoria romake,
kërkon të gjejë, me dhimbje, një identitet të ri. E dyta, e shkretuar nga dy luftëra
botërore dhe nga shembja e ideologjive totalitare, përpiqet prej vitesh, jo pa dhimbje,
të krijojë fizionominë e vet të përbashkët. Këto dy fytyra të Evropës, historikisht
larg njëra-tjetrës, kanë të përbashkët një rrënjë, rrënjën e krishterë të cilën,
më se 1500 vjet më parë, e ‘eksportoi’ nga kodra e Montekasinos, në të gjithë Kontinentin
e Vjetër, një vetmitar 50 vjeçar, që u bë murg, pikërisht sepse kishte vendosur t’i
jepte Evropës rrënjët e përbashkëta. E këto rrënjë të lashta – pohoi Benedikti XVI
– në ciklin e katekizmit kushtuar figurave të mëdha të Kishës së shekujve të parë
- janë njëkohësisht rrënjë moderne për Evropën tonë e cila, pa limfën jetike të Hyjit,
rrezikohet të bjerë në utopinë e vetëringjalljes: “Sot Evropa, që sapo ka dalë
nga një shekull thellësisht i plagosur nga dy luftëra botërore e pas shembjes së ideologjive
të mëdha, që u duk qartë se s’ishin tjetër, veçse utopi tragjike, është në kërkim
të identitetit të vet. Për të krijuar një bashkim të ri e të qëndrueshëm, sigurisht
kanë shumë rëndësi mjetet politike, ekonomike e juridike, por nuk duhet harruar edhe
përtëritja etike e shpirtërore, që buron nga rrënjët e krishtera të Kontinentit, sepse
pa këto rrënjë Evropa nuk mund të ndërtohet”. E pikërisht për këto rrënjë,
që u përhapën falë punës së madhe të Shën Benediktit, shpallur Pajtor i Evropës nga
Papa Pali VI në vitin 1964 e tani edhe Pajtor i papnisë së Benediktit XVI . Ati
i Shenjtë Papa Racinger foli gjatë mbi figurën e Shën Benedikti, u ndal tek jeta
dhe misioni i themeluesit të Benediktinëve e tha: “Vepra e Shenjtit e, në mënyrë
të posaçme, rregulla e tij, janë mbartëse të një tharmi të vërtetë shpirtëror i cili,
në rrjedhë shekujsh, ia ndryshoi fytyrën Evropës shumë përtej kufijve të Atdheut të
tij, duke nxitur, pas shembjes së unitetit politik, krijuar nga perandoria romake,
një unitet të ri shpirtëror e kulturor, atë të fesë së krishterë, që u pranua nga
popujt e kontinentit. E kështu lindi ai realitet, që ne e quajmë ‘Evropë”. Para
se të ushtronte, me manastiret e tij, këtë ndikim themelor mbi zhvillimin e qytetërimit
e të kulturës evropiane, Benedikti Abat ishte kryesisht njeri i lidhur me lutjen e
meditimin e Fjalës së Zotit. Kur i lindi ideja për themelimin e manastirit të Montekasinos,
shenjti i ardhshëm u tërhoq në një shpellë të Subiakos. Aty e kuptoi se gjëja e parë
që duhet të bënte, ishte sundimi i vetvetes. Në kundërshtim me vetërealizimin e shpejtë,
pa mundim, egocentrik, që sot gjithnjë më shpesh shikohet si virtyt i lartë – theksoi
Papa – Shën Benedikti nisi të kërkonte përvujtërisht takimin me Hyjin: “Pa lutje,
nuk ka takim me Zotin. Por përshpirtëria e Shën Benediktit nuk ishte jashtë realitetit.
Në kohën e tij të shqetë e të trazuar, ai jetonte i ndjekur nga syri i Hyjit, pa i
harruar kurrë detyrat e jetës së përditshme e njeriun, me nevojat e tij konkrete.
Duke parë Zotin, kuptoi realitetin e njeriut dhe misionin e tij”. E pikërisht
nevojat konkrete të njeriut përmblidhen në rregullën e famshme të Shën Benediktit,
që bazohet mbi dy fjalë: “Lutu e puno!”, të shkruara pesëmbëdhjetë shekuj më parë,
por që mbeten çuditërisht moderne edhe për sot: “Benedikti e quan Rregullën
‘të vogël, të hartuar vetëm për fillimin’; në të vërtetë kjo rregull jep këshilla
të urta jo vetëm për murgjërit, por edhe për të gjitha ata që kërkojnë një prijës
në shtegtimin e tyre drejt Hyjit. Për masën, humanizmin e dallimin ndërmjet asaj
që ka rëndësi të dorës së parë e asaj që është dytësore në jetën shpirtërore, ajo
e ruajti forcën deri më sot”.