2013-07-10 18:50:10

Eshton kërkon zbatimin e marrëveshjes


Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton, shpreh kënaqësinë me procesin e deritashëm të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Eshton gjatë qëndrimit në Prishtinë, zhvilloi takime me Presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Baronesha Eshton inkurajoi Kuvendin e Kosovës që të miratoj Ligjin mbi amnistinë, për të cilin votohet përsëri nesër. Ajo lëvdoi kryeministritn Thaçi për rolin e tij në dialogun me Serbinë. “Që nga vizita ime e fundit deri më sot, këtu kanë ndodhur shumë zhvillime e ndryshime pozitive”, ka deklaruar Eshton, duke ia atribuuar disa nga meritat kryesore për këtë ndryshim pikërisht kryeministrit, Thaçi.
Përveç dialogut e njoftimit nga afër me përparimet e bëra në zbatim, Eshton tha se në Prishtinë ka ardhur të paraqes edhe vendimin e Këshillit Evropian për nisjen e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, si një hap vendimtar që dëshmon se Brukseli i ka ofruar Kosovës perspektivën e qartë evropiane.
Para vizitës në Prishtinë, Eshton qëndroi edhe në Beograd, ku deklaroi se pas vendimit historik, siç vlerësoi ajo, të Këshillit Evropian për hapjen e bisedimeve për pranim me Serbinë, tash duhet zbatimi i marrëveshjes për normalizim.
“Puna kryesore të cilën tash duhet bërë është zbatimi i marrëveshjes”, tha Eshton duke theksuar se procesi teknik i transferit të vendimeve politike në praktikë nuk është i lehtë. Ajo ka vlerësuar se zbatimi i marrëveshjes për normalizim të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës, është i domosdoshëm për jetë më të mirë të banorëve në të dy vendet.







All the contents on this site are copyrighted ©.