2013-07-08 10:44:22

Papa: nuk duhet të kemi frikë t’i përtërijmë strukturat e Kishës


Të jesh i krishterë, nuk do të thotë të bësh gjëra, por ta lësh Shpirtin Shenjt të të përtërijë: këtë nënvizoi Papa Françesku në Meshën, kremtuar dje në Shtëpinë e Shën Martës, e fundit në praninë e grupeve, para ndërprerjes verore. Papa nënvizoi se edhe në jetën e Kishës ka struktura të lashta, që duhen përtërirë pa frikë. Në Meshë mori pjesë, ndërmjet tjerësh, një grup rekrutësh të Rojes Papnore Zvicerane.
“Verë e re, në shakuj të rinj”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë, duke u ndaluar tek e reja, që sjell Jezusi. Doktrina e ligjit, nënvizoi, vjen nga Jezusi e pasuruar, e përtërirë. Jezusi i bën të reja të gjitha sendet. Ai e përtërin edhe ligjin, të njëjtin ligj, por më të pjekur, më të rinuar. E në vijim nënvizoi se kërkesat e Jezusit ishin më të forta, më të mëdha se ligji. Ligji të lejon ta urresh armikun, ndërsa Jezusi na kërkon të lutemi për të. Kjo është Mbretëria e Hyjit, që predikon Jezusi. Përtëritje, në radhë të parë, në zemrën tonë. Ne, vijoi Papa, mendojmë se të jesh i krishterë do të thotë të bësh këtë apo atë tjetrën. Por nuk është kështu:
Të jesh i krishterë do të thotë ta lësh Jezusin të të përtërijë në një jetë të re. Unë jam i krishterë i mirë, të gjitha të dielat, nga ora 11 deri në mesditë, shkoj në Meshë e bëj këtë e bëj atë… Si të ishte ndonjë koleksion. Po jeta e krishterë nuk është kolazh sendesh. Është tërësi plot harmoni, krijesë e Shpirtit Shenjt. Përtërin gjithçka: përtërin zemrën tonë, jetën tonë e na bën të jetojmë me një stil tjetër, që e pushton gjithë jetën. Nuk mund të jesh i krishterë pjesërisht. I krishterë part-time nuk shkon! Duhet të jesh me gjithsejt, krejtësisht, gjithë kohën. Këtë përtëritje e bën Shpirti Shenjt. Të jesh i krishterë, në fund, nuk do të thotë të bësh gjëra, por ta lësh Shpirtin Shenjt të të përtërijë, ose, për të përdorur fjalët e Jezusit, të bëhesh verë e re”.
Prandej Jezusi thotë se për verën e re, duhen edhe shakuj të rinj:“Në jetën e krishterë, edhe në jetën e Kishës, ka struktura të lashta, struktura që u ka kaluar koha: është e nevojshme të përtërihen! E Kisha ka qenë gjithnjë e vëmendshme ndaj përtëritjes, në dialog me kulturat…. Rinohet vazhdimisht, sipas vendeve, kohëve e njerëzve. Këtë punë Kisha e ka bërë gjithnjë. Që nga çasti i parë. Kujtojmë luftën e parë teologjike: për t’u bërë i krishterë duhet ta bësh gjithë praktikën judaike, apo jo?. Jo! Thanë jo! Paganët mund të hyjnë ashtu siç janë, paganë. Mund të hyjnë në Kishë e të marrin Pagëzimin. Përtëritja e parë e strukturës. E kështu Kisha ka shkuar gjithnjë përpara, duke e lënë Shpirtin Shenjt t’i rinojë këto struktura, strukturat e kishave. Nuk duhet pasur frikë nga kjo! Mos kini frikë nga risia e Ungjillit. E as nga përtëritja e strukturave”.







All the contents on this site are copyrighted ©.