2013-07-08 15:36:01

Papa Bergoglio në Lampeduzë: përqafimi me emigrantët; një kurorë me lule në kujtim të mijëra të mbyturve në det


Papa Françesku ishte sot, rreth orës 9.00, në Lampeduzë. Është shtegtimi i parë apostolik i një Pasardhësi të Shën Pjetrit në këtë ishull. Avioni papnor preku tokën pak para parashikimit. Papa u prit në aeroportin e ishullit nga imzot Françesko Montenegro, kryeipeshkëv i Agrixhentos. Sapo arriti në Kala Pizana, u nis me motovedetë, për të shkuar, me udhë detare, në Portin e Lampeduzës, i shoqëruar nga barkat e peshkatarëve. Çasti i parë, prekës i shtegtimit, hedhja e një kurore me lule në det. Ishte kujtimi i Atit të Shenjtë për ata, që humbën jetën, para se të shkelnin brigjet e dëshiruara. Pastaj motovedeta hyri në port e Papa zbriti në Molo a Punta Favarolo, ku e prisnin emigrantët. Ati i Shenjtë i përshëndeti një për një, duke shkëmbyer nga një fjalë të mirë me secilin. Një emigrant lexoi një letër, përmes së cilës e përshëndeti Papën për këtë vizitë, i kërkoi ndihmë e i foli për vuajtjet e papërshkrueshme të shtegtimit drejt së panjohurës, që e sollën në Lampeduzë. Kërkoi ndihmë edhe nga vendet e tjera evropiane.
Papa i falënderoi emigrantët për mikpritjen dhe u tha: “Të gjithë së bashku, të lutemi njëri për tjetrin, edhe për ata, që sot nuk janë këtu”.
Kryetari i bashkisë së Lampeduzës, Gjusi Nikolini, e falënderoi Papën për vizitën. Ati i Shenjtë shkoi, pastaj, në fushën sportive “Arena”, në lokalitetin e Salinës, për të kremtuar Meshën: këtu u prit nga mijëra vetë në festë, që e rrethuan auton e Tij, me dëshirën që t’i shtrëngonin dorën e t’ua bekonte fëmijët.
“Papa Françesku, të duam shumë”; “Mirë se erdhët” “Shtegtar i detit”. Janë parullat që, së bashku me flamujtë bardh e verdh, mbushnin plot udhët ku kaloi Papa:
“Për mua, do të thotë të jesh, më në fund, i përfillur, i përfillur nga bota e nga të gjithë. E them këtë, sepse deri më sot ishim ‘të padukshëm’. Tani, më në fund, na panë, na përfillën si njerëz, si të krishterë e si pjesë e Italisë dhe e Evropës, e cila, deri tani, nuk na ka llogaritur aspak”.
Papa lutet pranë jush. Ç’përshtypje ju bën kjo?
“Për mua është si të ishte një nga ne. Nisa ta shikoj si një nga ne, që kur e zgjodhën. Pata një emocion e një ndjesi tejet të bukur”.
Për ju, ç’ përfaqëson vizita e Papës në ishull?
Unë jam turist: për mua vizita e Papës Françesku, pa harruar përvuajtërinë e tij, është prekëse, si të gjitha gjërat që ka bërë. Kujtoj këtu mënyrën si lëviz, si sillet… Prandaj mund të them se prania e tij këtu, në ishull, do të thotë se privilegjoi të fundmit, të papërfillurit. Ndjehem edhe unë i privilegjuar, si turist që e do dhe e viziton këtë ishull që prej 30 vjetësh. Emocion i madh. E dhanti e madhe shpirtërore!”.
Ç’sjell për ju kjo vizitë e Papës?
Unë, pa folur këtu për dashurinë që provoj për të, qysh nga çasti kur u zgjodh, provoj edhe emocionin e fortë të sotëm. Do t’ua përcjell të gjithë atyre, që kam pranë. Mbi të gjitha, ndjej mbështetjen e tij morale. Nisi nga të fundmit. Nga një skaj i Evropës. Për t’u hapur sytë e veshët atyre, që duhet të shikonin e të dëgjonin, por që deri tani nuk shikuan, as nuk dëgjuan.







All the contents on this site are copyrighted ©.