2013-07-07 18:16:09

Papa në Engjëllin e Tënzot: mos kini frikë nga gëzimi, që sjell Zoti në jetën tonë


Pas Meshës në Bazilikën e Vatikanit, Papa deshi të ndajë me besimtarët, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në lutjen e Engjëllit të Tënzot, gëzimin për takimin me seminaristët, novicët e novicet, shtegtarë në Romë me rastin e Vitit të Fesë. I ofroi, pastaj, mbarë popullit të Zotit Enciklikën Lumen Fidei, plot besim se do të shërbejë për reflektim e ballafaqim me problematikat e botës së sotme. Më pas u la të rinjve takim në Rio-de-Zhanéjro.

Papa u kërkoi gjithë besimtarëve të luten për të rinjtë në udhë vokacionale: “Që Dashuria e Krishtit të fitojë gjithnjë më shumë pjekuri në jetën e tyre e të bëhen misionarë për Mbretërinë e Hyjit”. I frymëzuar nga Ungjilli i së Dielës, Papa Françesku kujtoi se Jezusi nuk është misionar i izoluar, por bashkëpunëtor i ngushtë me dishepujt:
“Kjo është shumë e bukur! Jezusi nuk do të veprojë i vetëm; erdhi të sjellë në botë dashurinë e Hyjit e dëshiron ta përhapë me stilin e bashkimit, me stilin e vëllazërimit”.
Prandaj formon menjëherë bashkësinë misionare të dishepujve:
“E menjëherë i përgatit për mision, për të shkuar. Por, kujdes: qëllimi nuk është të gjejnë shoqëri, ta kalojnë kohën së bashku, jo, qëllimi është të kumtojnë mbretërinë e Hyjit, kjo është e ngutshme! Edhe sot është urgjente, nuk kemi kohë për të humbur me biseda, nuk duhet pritur miratimi i të gjithëve, duhet të nisemi për të kumtuar. Kumtimi u sjell njerëzve paqen e Krishtit e, nëse nuk e pranojnë, ecet njëlloj përpara”.
Sa e sa misionarë ‘mbjellin jetën e shëndetin, rehatinë e kënaqësitë’ në skajet më të humbura të botës, kujtoi me entuziazëm Papa:
“Sa e bukur është kjo, të mos jetosh vetëm për vetvete, por të jetosh për të shkuar e për të bërë mirë”.
Pastaj, duke iu drejtuar mijëra të rinjve, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë u tha:
“Ju jeni të guximshëm për këtë; a keni guxim ta dëgjoni zërin e Jezusit? Është bukur të jesh misionar, por të jesh misionar i vërtetë, më pëlqen kjo”.
Dishepuj të Jezusit, sqaroi Papa, nuk janë vetëm ipeshkvijtë, meshtarët e diakonët, por edhe katekistët e besimtarët laikë, që ndihmojnë të sëmurët e të braktisurit, gjithnjë si misionarë të Ungjillit. E nëse Jezusi u jep dishepujve forcën për ta mundur djallin e mallkuar, kjo është vepër e Tij:
“Nuk duhet të mburremi, sikur të ishim ne protagonistët: protagonist është Zoti me hirin e tij. E gëzimi ynë është vetëm ky: të jemi dishepujt e Tij, miqtë e tij. Na ndihmoftë Zoja e Bekuar të jemi punëtorë të mirë të Ungjillit”.
Prej këndej, Papa bëri thirrje të mos kemi frikë, por ta presim gjithnjë plot gëzim Zotin, që vjen të na takojë:
“Mos të kemi frikë nga gëzimi: gëzim e guxim!”.
Pas lutjes mariane, Françesku ia besoi Virgjërës Mari Letrën Enciklike Lumen Fidei, nisur nga Benedikti XVI, për të plotësuar trilogjinë kushtuar dashurisë dhe shpresës. Një tekst, tha Papa, i cili mund të jetë i nevojshëm edhe për ata, që janë në kërkim të Zotit e të kuptimit të jetës:
“Unë e pranova këtë plan dhe e përfundova. Ia ofroj me gëzim gjithë Popullit të Hyjit; të gjithë, posaçërisht sot, kemi nevojë të shkojmë tek thelbi i fesë së krishterë, për ta thelluar e për ta ballafaquar me problematikat aktuale”.
Së fundi, përshëndetjet, drejtuar veçanërisht Motrave Rozminiane e Françeskane Engjëllore, mbledhur për kapitujt e tyre të përgjithshëm dhe të rinjve të dioqezës së Romës, që gatiten të nisen për Ditën Botërore të Rinisë në Rio-de-Zhanéjro Rio, në Brazil:
“Të dashur të rinj, edhe unë po përgatitem! Të ecim së bashku drejt kësaj feste të madhe feje; Zoja e Bekuar na shoqëroftë: do të takohemi atje!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.