2013-07-07 16:59:39

Françesku në Meshën me seminaristët, novicët e novicet: gëzimi i ngushëllimit, Kryqi e lutja, pikat e referimit të misionit të krishterë


“Gëzimi i ngushëllimit, kryqi e lutja, janë pikat e referimit të misionit të krishterë”. Kështu u shpreh Papa sot paradite, gjatë Meshës, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit me seminaristët, novicët e novicet si dhe të rinjtë, që janë në kërkim të së njëjtës rrugë, ardhur nga të katër anët e botës. Papa u la një mesazh: “Sa më shumë t’ju thërrasë misioni drejt skutave të jetës, aq më tepër zemra juaj do të jetë e bashkuar me Zemrën e Krishtit, përplot me mëshirë e dashuri”:
“Përfaqësoni rininë e Kishës! Nëse Kisha është Vasha e Krishtit, në një farë mënyre ju simbolizoni çastin e fejesës, pranverën e thirrjes, stinën e zbulimit, të vërtetimit, të formimit. E është stinë tejet e bukur, në të cilën hidhni bazat për të ardhmen”.Kështu e hapi homelinë Papa Françesku, në Meshën e sotme. Fjalë të thjeshta. Godasin në shenjë, drejt e në zemrën e këtyre të rinjve, që zgjodhën rrugën e misionit e janë vërtet e ardhmja e Kishës.
Pastaj Papa, duke u mbështetur tek leximet, kujtoi tri pikat kryesore të referimit të misionit të krishterë: gëzimin e ngushëllimit, kryqin, lutjen:
Elementi i parë, gëzimi i ngushëllimit. Izaia Profet i drejtohet një populli, që kaloi periudhën e errët të internimit, kaloi një provë të vështirë; por tani për Jeruzalemin erdhi koha e ngushëllimit: trishtimi e frika duhet t’ia lëshojnë vendin gëzimit: ‘Gëzojuni, pra… ngazëlleni, vezulloni nga gëzimi, thotë Profeti”.
Gëzim, shpjegoi Papa, sepse çdo i krishterë, e posaçërisht ne, jemi të thirrur ta përhapim mesazhin, që sjell paqe e gëzim: ngushëllimin e Zotit, dashurinë e tij për të gjithë.
Duhet ta ndjejmë ngushëllimin e Zotit e ta përcjellim edhe ndër të tjerë:
“Kam gjetur disa herë njerëz të kushtuar, që kanë frikë nga ngushëllimi i Zotit, e, të varfërit, tronditen, sepse kanë frikë nga dhembshuria e Zotit. Po, mos kini frikë! Hyji është Zot i ngushëllimit, i dhembshurisë, i dashurisë. Zoti është atë e sillet me ne, si nëna me foshnjën e vet, plot dashuri. Mos kini frikë nga ngushëllimi i Zotit”.
Pika e dytë e referimit të misionit, është Kryqi i Krishtit, shtoi Papa, duke sjellë shembullin e Shën Palit që, në misionin e tij, provoi vuajtje, ligështi, dështime, por edhe gëzim e ngushëllim. Ky është misteri i Pashkëve të Jezusit: misteri i vdekjes e i ngjalljes:
Misteri i Pashkëve është zemër e misionit të Kishës, zemër që rreh fort! E në se mbetemi brenda këtij misteri, ne mbrohemi si nga vizioni shekullar e triumfalistik i misionit, ashtu edhe nga çkurajimi përballë provave e dështimeve. Fryti i kumtimit të Ungjillit nuk sigurohet as nga suksesi, e as nga mossuksesi sipas kritereve të vlerësimit njerëzor, por nga njësimi me logjikën e Kryqit të Krishtit, që është logjika e daljes nga vetvetja, për t’u dhuruar, është logjika e dashurisë”.
Kryqi siguron suksesin e misionit tonë, shtoi Papa. E nga Kryqi, akti më i lartë i mëshirës e i dashurisë, rilindim si krijesa të reja.
Pastaj elementi i tretë, lutja. Në Ungjill, vijoi Papa Françesku, dëgjuam të thuhet: “Luteni, pra, Zotërinë e të korrave që të dërgojë punëtorë në të korrat e veta”:
“Punëtorët për korrje nuk zgjidhen përmes fushatave publicitare ose thirrjeve për shërbim e bujari: janë të ‘zgjedhur’, ‘të dërguar nga Zoti’. I zgjedh ai vetë. E ai i nis për mision. Prandaj është e rëndësishme lutja. Kisha na përsërit Benedikti XVI, nuk është jona, por e Zotit; ara, që duhet punuar, është e Tija. Misioni, atëherë, mbi të gjitha është hir. E nëse apostulli është fryt i lutjes, në të do të gjejë dritë e forcë për veprimtarinë e tij. Misioni ynë nuk është i frytshëm, madje shuhet fare, në çastin kur ndërpritet lidhja me burimin, me Zotin”.
Prej këndej, thirrja e Papës drejtuar të rinjve për lutje të vazhdueshme e kundrim, sepse këtu fshihet sekreti e fryti i dishepullit të Krishtit. Përhapja e Ungjillit nuk sigurohet as nga numri i njerëzve, as nga fama e institucionit e as nga sasia e burimeve të mundshme:
“Ajo, që ka rëndësi, është të jesh përplot me dashurinë e Krishtit, ta lësh Shpirtin Shenjt të të prijë e jeta jote të jetë filiz i drurit të jetës, Kryqit të Zotit”.
Në përfundim, Papa ia besoi të rinjtë e të rejat Zojës së Bekuar, që t’i ndihmojë të marrin vendime përfundimtare, lirisht e pa frikë!







All the contents on this site are copyrighted ©.