Me 7 korrik kalendari kujton shën Astin, Ipeshkëv i Durrësit
Me 7 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Astin, Ipeshkëv i Durrësit e Martir. Për
të gojëdhëna na sjell shumë pak lajme e shumë pak është gërmuar arkeologjia apo ndër
kujtesa e ndër libra për ta rikrijuar edhe një herë jetën e këtij bariu martir. Dimë
me siguri se Shën Asti ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Durrësit gjatë sundimit të
Trajanit (98-117), në sa Iliriku qeverisej nga Agrikolao. Pikërisht në këtë kohë u
martirizua Shën Asti, sepse nuk pranoi të nderonte shtatoren e Dionizit. Duhet të
ketë qenë viti 100, kur ipeshkvi trim derdhi gjakun për Krishtin, duke dhënë dëshminë
më lartë. Një ditë të nxehtë të korrikut Shën Astin e zhveshën lakuriq duke i
lyer trupin me mjaltë dhe e varën në një pemë, ku dha shpirt pas torturave të mëdha
e çnjerëzore. Pastaj trupin e tij e morën të krishterët dhe e varrosën. Më vonë mbi
varrin e Shën Astit u ngrit një Kishë e madhe katedrale dhe Shën Asti u shpall mbrojtës
i qytetit të Durrësit. Emri i Shën Astit, gjendet edhe në përshkrimin e martirizimit
të Pelegrinit, Luçianit, Ezikut, Papios, Saturninit e Gjermanit që, sapo ishin strehuar
në Durrës, panë trupin e Astit akoma të mbërthyer në kryq e, të ngushëlluar nga flijimi
i tij, shpallen se ishin të krishterë dhe pësuan menjëherë të njëjtin fat. Menologu
i Bazilit e kremton Astin më 6 korrik e po në këtë datë, edhe Vjetari kishtar greko-sllav.
Ndërsa në Senasarin e Kostandinopojës, festa e tij kremtohet më 7 korrik, së
bashku me Shën Pelegrinin e shokët martirë të Durrësit. Emri i Shën Astit ishte i
nderuar në gjithë zonën e Shqipërisë Veriore, gjë që e vërteton Kisha e françeskanëve
në Rubik e cila, në se i besojmë dëshmive gojore të përcjella brez pas brezi në popull,
duhet të ketë qenë fillimisht e Etërve Benediktinë, për t’u kaluar më pas françeskanëve
– siç dëshmon Farlati tek vepra monumentale “Illyricum Sacrum”. Kisha e vogël ishte
e pikturuar me afreske, poshtë të cilave shkruheshin citate nga Shkrimi Shenjt si
edhe emrat e shenjtërorëve të pikturuar. Ndërmjet tyre ishte edhe emri i Shën Astit,
ipeshkvit e martirit të Durrësit.