2013-07-05 14:46:59

Lumen fidei – Drita e Fesë, Enciklika e parë nënshkruar nga Papa Françesku: feja ndriçon jetën e njeriut


“Lumen fidei”, “Drita e fesë”: titullohet kështu Enciklika e parë e Papës Françesku, botuar sot. Drejtuar ipeshkvijve, meshtarëve, diakonëve, rregulltarëve dhe gjithë besimtarëve shekullarë, e ndarë në katër kapituj, Enciklika, shpjegon Papa Françesku, ishte pothuajse e kryer nga Benedikti XVI. Këtij shkrimi, Papa i sotëm i shtoi edhe mendimin e tij. Qëllimi i dokumentit është që feja të shikohet përsëri si dritë, e aftë për të ndriçuar gjithë jetën njerëzore.
Kush beson, shikon. Kush beson, nuk është kurrë i vetëm, sepse feja është pasuri, e cila u takon të gjithëve, pasuri e përbashkët, që të ndihmon ta dallosh të mirën nga e keqja e t’i ndërtosh shoqëritë tona, duke u dhënë shpresë. Kjo është zemra e Lumen fidei: e një feje, që nuk e shkëput njeriun nga realiteti, por e ndihmon ta kuptojë në thellësi. Në një epokë, si kjo moderne, shkruan Papa, në të cilën besimi i kundërvihet kërkimit e feja shikohet si shpresë e kotë, si kërcim në zbraztësi, që e pengon lirinë e njeriut, ka rëndësi të besosh e t’ia besosh vetveten, përvujtërisht e me guxim, dashurisë përdëllyese të Zotit, që drejton udhët e shtrembëra të historisë sonë.
Dëshmitar i besueshëm i fesë është Jezusi, përmes të cilit Hyji vepron vërtet në histori. Kush beson në Jezusin, jo vetëm e sheh Zotin, por shikon edhe me sytë e Tij. E ashtu si në jetën e përditshme i besojmë arkitektit, farmacistit, avokatit, që i dinë punët më mirë se ne, kështu, për fenë i besojmë Jezusit, specialistit të punëve të Zotit, Atij, që na shpjegon Hyjin. Feja nuk është fakt privat, nënvizon Papa, sepse dëshmohet në gji të Kishës, si bashkim konkret i besimtarëve. E kështu ekzistenca e besimtarit bëhet ekzistencë kishtare.

Papa dëshmon, pra, lidhjen e ngushtë ndërmjet fesë, së vërtetës e dashurisë, që burojnë nga vetë Zoti. Feja pa vërtetësi nuk shëlbon, nënvizon Papa. Mbetet thjesht një përrallë e bukur, posaçërisht sot, kur jetohet kriza e së vërtetës, për shkak të një kulture, e cila beson vetëm në teknologjinë ose në të vërtetën e njerëzve të veçantë, në dobi të individit e jo të së mirës së përbashkët. Bota e sotme, thekson Papa, nuk do ta pranojë të vërtetën e madhe, nuk do t’i bëjë vetes pyetje për Zotin, sepse ka frikë nga fanatizmi e i pëlqen më shumë relativizmi. Por feja nuk është e papajtueshme, besimtari nuk është arrogant, sepse e vërteta, që buron nga dashuria e Zotit, nuk imponohet me dhunë e nuk e ndrydh njeriun. Prej këndej, është plotësisht i mundur dialogu i fesë me arsyen: mbi të gjitha, sepse feja rizgjon vështrimin kritik e zgjeron horizontet e arsyes. Së dyti, sepse Zoti është i ndritshëm e mund të gjindet edhe nga jo besimtarët, që e kërkojnë me zemër të sinqertë. Kush vihet për udhë që të bëjë mirë, nënvizon Papa, është tashmë pranë Zotit.

Pikë tjetër themelore e Lumen fidei, është ungjillëzimi: kush e pranon dritën e Zotit, thotë Papa, nuk mund ta mbajë vetëm për vete. Ashtu si një flakë ndez tjetrën, kështu edhe drita e Krishtit ndriçon në fytyrën e të krishterëve e përcillet nga breznia në brezni, përmes dëshmitarëve të fesë. E fortë, prandaj, lidhja e fesë me kujtesën, sepse dashuria e Hyjit i mban kohët të bashkuara e na bën bashkëkohas me Jezusin.

E mjeti kryesor për përcjelljen e fesë, janë Sakramentet. Para së gjithash, Pagëzimi, që na kujton se feja duhet marrë në bashkim kishtar, sepse askush nuk pagëzon vetveten, gjë që vë në dukje lidhjen e Kishës me familjen në transmetimin e fesë. Pastaj, Eukaristia, ushqimi i çmuar i fesë, që na mëson të shikojmë në thellësinë e jetës. E akoma, dëshmimi i fesë permes Besojmës e Atynës, që e bëjnë besimtarin të kujtojë të vërtetat, të cilat i dëshmon e ta shikojë botën me syrin e Krishtit. Së fundi, Dhjetë Urdhërimet, që nuk janë tërësi urdhërash negative, por udhë konkrete për të hyrë në dialog me Hyjin. Feja është një, nënvizon akoma Papa, e uniteti i fesë është unitet i Kishës.

Në Kapitullin e fundit, Lumen fidei shpjegon lidhjen ndërmjet besimit e ndërtimit të së mirës së përbashkët: feja, që lind nga dashuria e Hyjit, i çelnikos lidhjet ndërmjet njerëzve e i nxit të vihen në shërbim të drejtësisë e të paqes. Në se e heqim nga qytetet tona, humbasim besimin në njeri-tjetrin e mbetemi të bashkuar për frikë ose për interes. Ndërsa feja mund të ndriçojë një mori fushash të jetës: familjen e bazuar mbi martesën, parë si bashkim i qëndrueshëm i burrit me gruan; botën e të rinjve, që dëshirojnë një jetë të madhe e që takimi me Jezusin u jep shpresën e pamort. Feja nuk është strehë për njerëz pa guxim, pohon Papa, por është zgjerim i jetës e në këtë drejtim, Ditët Botërore të Rinisë u krijojnë të rinjve mundësitë ta shprehin me vrull gëzimin e fesë dhe impenjimin për ta jetuar pa u lëkundur, me guxim.

Feja ndriçon edhe natyrën e na ndihmon ta repesktojmë, duke gjetur modele zhvillimi, që nuk bazohen vetëm mbi dobinë ose fitimin, por që e shikojnë krijimin si dhuratë; na mëson të gjejmë forma të drejta qeverisjeje, në të cilat autoriteti vjen nga Zoti e është në shërbim të së mirës së përbashkët, na jep edhe mundësinë e faljes, që çon në kapërcimin e konflikteve.

Edhe vuajtja e vdekja fitojnë kuptim, kur ia besojmë veten Zotit, shkruan Papa: njeriut që vuan, Zoti nuk i jep një arsyetim, i cili i shpjegon të gjitha, por i jep diçka shumë më të madhe, praninë e tij, që e shoqëron. Kështu feja shkon krah për krah me shpresën.
E prej këndej, Papa bën thirrje: “Mos të lejojmë të na e rrëmbejnë shpresën!” .Enciklika përfundon me një lutje drejtuar Virgjërës Mari, ikonë e përkryer e fesë, që të na mësojë ta shikojmë botën me sytë e Jezusit.







All the contents on this site are copyrighted ©.