2013-07-04 11:35:14

Lumnimi i kardinalit Van Tuan: më 5 korrik mbyllet procesi dioqezan


Përfundon të premten, më 5 korrik, pas gati dy vjet e gjysëm, procesi dioqezan i lumnimit, që mori në shqyrtim jetën, virtytet heroike dhe famën e shenjtërisë së kardinalit vietnamez Fransua-Ksavier Van Tuan, i cili ndërroi jetë më 16 shtator 2002. Jeta e tij është e ngjashme tragjikisht me atë të sa e sa meshtarëve, murgeshave e laikëve katolikë në Shqipëri, gjatë diktaturës komuniste. Më 1975, pak muaj pasi ishte emëruar kryeipeshkëv, u burgos për 13 vjet me radhë, nga të cilat, nëntë, i kaloi në izolim të plotë, për shkak të fesë. Të premten, pas një kremtimi solemn eukaristik në Bazilikën e Shna’Ndout të Padovës në Romë, në Auditoriumin Antonianum do të paraqiten, të përkthyera në italisht, gjashtë Letrat baritore të kardinalit Van Tuan, shkruar ndërmjet viteve 1968 e 1973, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, nën kujdesin e Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen. Për figurën e kardinalit Van Tuan, pyetëm postulatorin e çështjes së lumnimit, Valderi Hilgeman:
U burgos gjatë regjimit komunist në Vietnam, pa asnjë lloj procesi. Burgosja zgjati 13 vjet, ndër të cilat, nëntë, në izolim të plotë, pa e mohuar kurrë fenë, pa pranuar kurrë kompromise. Kardinali është mëse i njohur për kryqin, që mbante në gjoks pasi u lirua nga burgu. Ishte simboli i burgimit, por edhe i përshpirtërisë së tij. E pati bërë vetë në burg, me copa druri, që ia patën dhënë rojet, ndërsa për ta varur në qafë pati përdorur një tel elektriku. Vazhdoi ta mbante këtë kryq edhe kur u bë kardinal.
Dëshmitar i jashtëzakonshëm për gjithë të krishterët, por edhe protagonist i historisë së Vietnamit…
Sigurisht, është personalitet historik për Vietnamin, sepse si ipeshkëv, u bë martir i shpresës. Gjatë burgosjes nuk e humbi kurrë shpresën për Kishën, nuk e mohoi kurrë atë. E ky është simbol për një popull, që edhe sot, nuk jeton në liri të plotë fetare.
Kardinali Van Tuan e dëshmoi Krishtin gjatë burgosjes, por edhe më pas, përmes tregimit të përvojës së kaluar, pa mllefe, pa urrejtje, pa fjalë të ulta, duke folur gjithnjë me përvuajtëri. Por ç’thonë për të?
Ashtu fliste, e s’mund të ishte ndryshe. Rojet, që e mbanin nën kontroll, në burg, i thoshin: “Po ti, nëse do të lirohesh një ditë, do të na persekutosh?” E ai: “Absolutisht jo”. “Do të na vrasësh?” E ai: “Sigurisht që jo, unë ju dua fort”. “Si ka mundësi? Ti na do?” “Po, natyrisht. Ju dua”. Ky është mesazhi i kardinalit për ata, që ishin “armiqtë” e vet. Pas lirimit nga burgu, kjo përshpirtëri - përshpirtëria e Jezusit, që e dhuron veten në Kryq - u bë simbol i veprës së tij. Pati nderin të predikojë ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake e nuk ishin ushtrime të rastit: ishin ato të vitit 2000, në agim të Mijëvjeçarit të Tretë. U thirr nga Papa Gjon Pali II, që i tha: “Imzot, dua të predikoni ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake”. E ai, me habi të madhe, u përgjigj: “Shenjtëri, unë kam qenë në burg, nuk i di të rejat teologjike. E ç’mund të them?” Ndërsa Papa i tha menjëherë: “Na sill përvojën tënde”. Kur një papë fton një ipeshkëv për të sjellë përvojën e tij, e fton që, në një farë mënyre, ta bëjë atë përvojë magjister të Kishës. Kardinali i predikoi ato ushtrime shpirtërore e më pas, me to, u publikua një libër, që u bë best-seller, nga më të shiturit e botës. Kjo qe përshpirtëria e kardinalit Van Tuan, e cila lindi nga vuajtja e nga braktisja në burg.








All the contents on this site are copyrighted ©.