Enriko Leta takohet me Papën: në qendër të bisedimeve, punësimi i të rinjve dhe roli
i familjeve e i Kishës
Sot paradite, Ati i Shenjtë Françesku priti në vizitë private, kryeministrin e Republikës
së Italisë, Enriko Leta. Pas audiencës me Papën, kryeministri Leta u takua edhe me
Sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone, që shoqërohej
nga imzot Dominik Mambertì, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet. “Gjatë bisedimeve
të përzemërta, njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, të dyja palët u
ndalën posaçërisht tek gjendja shoqërore dhe përpjekjet, që po bëjnë qytetarët dhe
institucionet e Italisë e të BE-së, kryesisht për marrjen e masave, që të krijojnë
e të mbrojnë punën, sidomos për të rinjtë. U fol, në vijim edhe për ndihmën që po
japin familjet italiane dhe institucionet e Kishës për sigurimin e stabilitetit të
vendit. U prekën edhe disa tema të politikës ndërkombëtare, duke i kushtuar vëmendje
të veçantë evolucionit të kontekstit civil e institucional të vendeve të Mesdheut
e të Lindjes së Mesme. Të dyja palët pohuan, në përfundim, se do të vijojnë bashkëpunimin
për progresin e Kombit italian e për të mirën e bashkësisë ndërkombëtare”.