2013-07-03 14:53:36

DBR 2013: më 6 korrik Kryqi dhe ikona e Zojës arrijnë në Rio


Të shtunën, më 6 korrik, do të arrijnë nga dioqeza e Itaguait, në atë të Rio-de-Zhanéjros, Kryqi dhe ikona e Zojës së Bekuar, simbole të Ditës Botërore të Rinisë, kremtimet e së cilës do të nisin në qytetin brazilian më 23 korrik, për të vijuar deri më 28 të muajit në vijim. Do të priten në kishën e Shën Jozefit, në lagjen e Shenjtes Krygjë, simbolet e takimeve rinore. E po këtu do të kremtohet një Meshë e kryesuar nga kryeipeshkvi i Rios e kryetar i Komitetit organizator vendas, imzot Orani Tempesta. Pas Meshës, do të kremtohet edhe procesioni deri në katedralen e Shën Sebastianit, në qendër të qytetit. Kremtimi do të jetë rast për të mbledhur të gjitha familjet, që do t’i mikpresin të rinjtë shtegtarë në Rio. Për të gjithë parashikohet edhe një festë e madhe, me muzikë, valle e veprimtari të tjera artistike, me praninë e artistëve më të njohur katolikë të muzikës braziliane e latinoamerikane. Duke përshëndetur arritjen e simboleve të DBR-së në Rio, kryeipeshkvi Orani Tempesta kujtoi se këto shenja të ndritura kanë shtegtuar rreth e rreth botës e, që nga shtatori 2011, edhe rreth e rreth Brazilit, duke vizituar dioqeza, shkolla, burgje, sheshe e bashkësi vendase. Në këtë mënyrë, mesazhi i Krishtit arriti në zemrat e të gjithë burrave e grave të Brazilit.








All the contents on this site are copyrighted ©.