2013-07-03 14:52:20

Cikël reflektimesh kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike: Paraqitja dhe reflektimi I


Në kuadrin e Vitit të Fesë, po nisim një cikël të ri kushtuar Katekizmit të Kishës Katolike, përgatitur nga jezuiti, atë Dariush Kovalçik.

Ndërmjet ftesave të para, që Papa Benedikti XVI na drejtoi me rastin e Vitit të Fesë, është edhe ajo për ta lexuar Katekizmin e Kishës Katolike. Në letrën tejet të bukur “Porta fidei – “Porta e fesë”, Ati i Shenjtë shpreh bindjen se Katekizmi duhet të jetë gjatë gjithë vitit, “mjet e mbështetje e vërtetë për thellimin e fesë”.

Kemi variante të ndryshme të Katekizmit. Së pari, Katekizmin e Kishës Katolike, botuar 20 vjet më parë. Pastaj, një variant më të shkurtër: Përmbledhjen e Katekizmit. Vitin e kaluar doli edhe Katekizmi YouCat, drejtuar të rinjve. Të gjitha variantet e Katekizmit u përhapën menjëherë, u përkthyen në gjuhë të ndryshme e u shitën në miliona kopje.

Pavarësisht nga gjithë kjo jehonë, është më se i vërtetë opinioni se Katekizimi i madh dhe variantet e tij, kanë depërtuar vetëm në një pjesë të vogël të bashkësisë së Kishës. E ndonëse Katekizmi është “një nga frytet më të rëndësishme të Koncilit II të Vatikanit”, në të vërtetë është edhe ndërmjet veprave më pak të kuptuara e të vlerësuara. Viti i Fesë duhet të jetë rast për ta ndryshuar këtë gjendje.

Në hyrjen e Benediktit XVI për Katekizmin YouCat, gjejmë një thirrje të flaktë: “Ju ftoj - shkruan Papa - ta studioni Katekizmin me pasion e këmbëngulje. Flijojeni kohën tuaj për të! Studiojeni në heshtjen e dhomës suaj; lexojeni dy vetë bashkë; nëse jeni miq, formoni grupe e rrjete studimi; shkëmbeni ide në internet. Vijojeni me të gjitha mënyrat dialogun me fenë tuaj!”.

Dëshirojmë që ky cikël reflektimesh mbi Katekizmin, që po e nisim sot, të shërbejë si shtytje për t’iu përgjigjur kësaj ftese të Papës Benedikti. Të ndalemi, pra, tek kapitujt e ndryshëm të pjesës I të Katekizmit, titulluar: “Dëshmimi i fesë për të mbetur, siç na ftoi Papa, në dialog me fenë tonë”. Ta marrim, pra, në dorë, katekizmin e të nisim së bashku shfletimin!







All the contents on this site are copyrighted ©.