2013-07-02 14:55:59

IOR: japin dorëheqjen drejtori dhe zv.drejtori


Drejtori i IOR-it (Institutit për Veprat Fetare), Paolo Çipriani dhe zv-drejtori, Masimo Tuli dhanë sot dorëheqjen. Lajmi jepet në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Vatikanit, ku thuhet se “pas shumë vitesh shërbimi, të dy vendosën ta bëjnë këtë hap në interes të vetë Institutit e të Selisë së Shenjtë. Këshilli mbikqyrës dhe Komisioni i Kardinajve pranuan dorëheqjen dhe i kërkuan presidentit Ernst fon Frajberg të marrë përsipër përkohësisht funksionin e drejtorit të përgjithshëm. U informua edhe Autoriteti i Informacionit Financiar. Komisioni i veçantë, emëruar më 26 qershor – vazhdon nota – u njoftua për këtë vendim. Ernst fon Frajberg do të punojë së bashku me Rolando Marrançin, si zv.drejtor dhe me Antonio Montarezin, në detyrën e re të Chief Risk Officer (funksionar përgjegjës për rrezikun apo rriskun financiar). Ky i fundit do të merret me projekte të veçanta. Rolando Marrançi ka qenë Përgjegjës Veprimtarie për një bankë të njohur italiane në Londër. Antonio Montarezi ka pasur të njëjtën detyrë që do të kryejë tani, por edhe atë të përgjegjësit zbatues në banka të ndryshme të SHBA-ve”, sqaron nota e Sallës së Shtypit.
Presidenti i IOR-it falenderoi drejtorin e zv.drejtorin, që dhanë dorëheqjen, e vuri në dukje se dy emërimet e reja sjellin profesionistë të shkëlqyer në atë, që njihet si Banka e Vatikanit. “Që nga viti 2010 – deklaroi Ernst fon Frajberg – Instituti për Veprat Fetare dhe drejtoria e tij po punojnë seriozisht për t’i çuar strukturat dhe procedurat në nivelin e standardeve ndërkombëtare të luftës kundër riciklimit të parave. Megjithëse jemi mirënjohës për rezultatet e arritura, sot, është e qartë se kemi nevojë për drejtues të rinj, që ta përshpejtojnë ritmin e procesit transformues”.
Njëkohësisht, Këshilli Mbikqyrës ka hapur procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve, për të emëruar në të ardhmen një drejtor të ri të përgjithshëm e një zv.drejtor. Kujtojmë se Instituti për Veprat e Fesë u themelua në vitin 1942 me dekret papnor. Qëllimi i tij është t’i shërbejë Selisë së Shenjtë dhe Kishës Katolike në të gjithë botën, siç përcaktohet në statut. IOR-i mbron pasurinë e një grupi të caktuar personash fizike dhe juridike, të lidhura me Kishën Katolike, sipas së drejtës kishtare dhe ligjeve të Shtetit të Vatikanit. Struktura e administrimit të IOR-it përbëhet nga Komisioni Kardinalor, një prelat, një Këshill Mbikqyrës dhe drejtoria. Punojnë në këtë institucion 114 vetë, ndërsa selia e tij është brenda Shtetit të Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.