2013-07-01 15:17:53

Papa: të lutemi me guxim e ngulm, për të prekur zemrën e Zotit


Duhet ta lusim me guxim Zotin. Me guxim e me këmbëngulje, siç bëri Abrahami. Këtë pohoi sot paradite Papa Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se të lutesh, do të thotë edhe të bisedosh me Zotin, të bëhesh deri i besdisshëm, siç na mëson vetë Jezusi. Në Meshë, bashkëkremtuar nga kardinali Kurt Koh dhe imzot Brian Farell, mori pjesë, ndërmjet tjerësh, edhe një grup meshtarësh e bashkëpunëtorësh të Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve.

Abrahami i flet me guxim e ngulm Zotit, për të mbrojtur Sodomën nga rrënimi. Papa Françesku e zhvilloi homelinë e sotme duke u nisur nga Leximi i Parë e, menjëherë, vërejti se Abrahami është i guximshëm e lutet me guxim. Abrahami, vijoi Ati i Shenjtë, e ndjen forcën e bisedës sy për sy me Zotin e përpiqet me gjithë shpirt ta mbrojë qytetin. E bën këtë me këmbëngulje. Në Bibël, vijoi të shpjegojë Papa, shihet qartë se lutja duhet të jetë e guximshme:
“Kur ne flasim me guxim, edhe mendojmë me guxim apostolik, që të shkojmë e ta predikojmë Ungjillin, Fjalën e Zotit … Po është edhe guximi para Zotit: paraqitja plot guxim para Zotit, për t’i kërkuar hirin, që na duhet. Të bën të qeshësh mënyra si i flet Abrahami Zotit, mënyrë krejt e veçantë, aq e guximshme, sa nuk merret vesh je para një njeriu që lutet, apo një tregtari fenikas, që bën hesap me Zotin, duke e ulur vazhdimisht çmimin. E ngulmon: nga pesëdhjetë, arrin ta ulë në dhjetë. Ai e dinte se ishte e pamundur. Por duhet të kishte mbetur të paktën një i drejtë, në atë qytet të zhytur deri në maje të hundës në baltën e mëkatit. Nipi i tij, i kushëriri… E me këtë guxim vijon të ngulë këmbë”.
Nganjëherë, tha Papa, shkojmë te Zoti e i kërkojmë hir për ndonjë njeri, i kërkojmë këtë e atë e pastaj ikim e shkojmë në punë tonë. Por kjo, vërejti, nuk është lutje, sepse, po të duash që Zoti ta plotëosjë dëshirën, duhet të dalësh para tij me guxim e të bësh atë, që bëri Abrahami, duke ngulur këmbë fort. Vetë Jezusi na mëson se duhet të lutemi, ashtu si i lutej vejusha gjykatësit; si ai, që troket natën në portën e mikut. Troket e s’ pushon, deri sa tjetri ia hap. Me ngulm. Kështu na mëson Jezusi. E, në të vërtetë, në vijim, Jezusi e lavdëron gruan sirofenikase, që i vardiset e nuk i ndahet, derisa ia shëron vajzën. Këmbëngulja, shpjegoi Papa, edhe atëherë kur nuk është aq ngulmuese, të lodh fort. Po këtu e kemi fjalën për lutjen, për mënyrën si duhet të lutemi. Për Shën Terezën, kujtoi, lutja është si zhvillim bisedimesh. E kjo është e mundur vetëm atëherë, kur njeriu ka familjaritet me Zotin. Është e lodhshme, pohoi, por kjo është lutja, kjo, mënyra për t’i kërkuar Zotit një hir. Papa nënvizoi, kështu, argumentimin që përdor Abrahami në lutjen e tij. Argumentim i Zemrës së Krishtit:
Ta bindësh Zotin, me virtytet e vetë Zotit! Kjo është e bukur! Mënyra si lutet Abrahami shkon në zemër të Zotit! Ati i di të gjitha gjërat. Ati, mos u shqetësoni, çon shiun mbi të drejtët e mëkatarët e diellin mbi të drejtët e të padrejtët. Me këto argumentime vijon Abrahami. Nësa unë do të ndalem këtu: t’i lutesh Zotit e të zhvillosh bisedime me të, duke u bërë deri i besdishsëm për Zotin. Ta lusim e ta lumnojmë Zotin në gjërat e bukura, që krijoi e t’i themi që këto sende të bukura, të na i dërgojë edhe ne. E meqë ai është shumë i mëshirshëm, tepër i mirë, edhe të na ndihmojë”.
Unë, tha Papa, do të dëshiroja që sot ne të gjithë, pesë minuta, jo më, gjatë ditës, ta merrnim Biblën, për të thënë ngadalë Psalmin 102, që u tha ndërmjet dy leximeve:“Bekoje Zotin, o shpirti im, e krejt qenia ime, Emrin e tij të shenjtë. Mos i harro bamirësitë e tija. Ai t’i falë të gjitha fajet, t’i shëron të gjitha sëmundjet, jetën nga varri ta shpëton, të kurorëzon me mirësi e mëshirë’. E nga ky Psalm, do t’i mësojmë edhe fjalët, që duhet t’i themi Zotit, kur i kërkojmë hir. ‘Ti, që je i mëshirshëm; Ti, që fal, ma bëj këtë nder!’: ashtu si pati bërë Abrahami e si pati bërë Moisiu. Të shkojmë pëpara me lutje, me guxim e me argumentet, që burojnë drejt nga zemra e Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.