2013-06-30 15:51:14

Papa Françesku: Jezusi na do të lirë; ta dëgjojmë ndërgjegjen në bashkim me Atin, si bëri Benedikti XVI


“Jezusi na fton ta dëgjojmë ndërgjegjen tonë, në bashkim të plotë me Atin qiellor. Kështu do të jemi të krishterë të lirë e jo të “telekomanduar”: e nënvizoi këtë Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Ati i Shenjtë e paraqiti Benediktin XVI si “shembull të madh” në këtë drejtim, sepse ndoqi me arsye e guxim vullnetin e Zotit, që i fliste zemrës së tij. Në ditën e bamirësisë së Papës, u shprehu mirënjohjen e thellë gjithë atyre, që i mbështesin nismat e tij të bamirësisë.
“Jezusi mori vendimin e prerë të vihej për udhë kah Jeruzalemi”. Papa Françesku e zhvilloi meditimin e tij duke u nisur nga ky fragment i Ungjillit të së dielës, për të vërejtur se, pasi e mori vendimin, Jezusi i porositi dishepujt të mos u kërkonin asgjë atyre, që do të takonin gjatë udhës:
“Jezusi nuk detyron kurrë; Jezusi fton. Po të duash, eja! Kështu është përvujtëria e Jezusit: Ai fton gjithnjë, nuk detyron”.
E gjithë kjo, vijoi Papa, na bën të mendojmë, na kujton rëndësinë që kishte edhe për Jezusin ndërgjegjja; kishte rëndësi të dëgjonte zërin e Atit e edhe ta ndiqte:
Jezusi, në jetën e tij tokësore, nuk ishte, thënë figurativisht, i telekomanduar: ishte Fjala e mishëruar, Biri i Hyjit i bërë njeri që, në një farë pike, mori vendimin e pakundërshtueshëm të ngjitej në Jeruzalem për herë të fundit: vendim i marrë në ndërgjegjen e vet, por jo vetëm: së bashku me Atin, në bashkim të plotë me Të”.
Jezusi, vazhdoi, vendosi duke iu bindur Atit, në dëgjim të thellë e në lidhje të ngushtë me vullnetin e tij. Prandaj vendimi ishte i prerë, sepse u mor së bashku me Atin:
“Jezusi ishte i lirë: në këtë vendim ishte i lirë! Jezusi ne, të krishterët, na do të lirë, siç është Ai vetë. Me këtë liri, që buron nga dialogu me Atin, nga dialogu me Hyjin. Nuk do, Jezusi, as të krishterë egoistë, që ndjekin vetveten e nuk flasin kurrë me Zotin, e as të krishterë të ligshtë, pa pikë vullneti, të krishterë të telekomanduar, pa frymë krijuese, që kërkojnë gjithnjë t’i nështrohen vullnetit të tjetrit, që s’e njohin shijen e lirisë. Jezusi na do të lirë. Po kjo liri, ku gjindet? Gjindet në dialog me Zotin, në ndërgjegjen tonë”.
Nëse i krishteri nuk di të flasë me Zotin, nuk di ta dëgjojë Zotin në ndërgjegjen e vet, vërejti Papa, nuk është i lirë. Edhe ne, shtoi, duhet të mësohemi për ta dëgjuar më shumë ndërgjegjen tonë:
“Por, vëmendje! Kjo nuk do të thotë të ndjek vetveten, të bëj atë, që më intereson, që më leverdis, që më pëlqen... Jo! Nuk është kjo. Ndërgjegjja është hapësira shpirtërore e dëgjimit, e së vërtetës, së mirës, e dëgjimit të zërit të vetë Zotit”.
Ndërgjegjja, shtoi Papa, është caku shpirtëror i lidhjes sime me Zotin, që m’i flet zemrës e më ndihmon ta dalloj, ta kuptoj e ta zgjedh rrugën, që duhet të ndjek. E, si ta kem marrë vendimin, më ndihmon edhe të ec përpara, të mbetem gjithnjë besnik:Ne kemi pasur një shembull të mrekullueshëm, që na tregon sesi është kjo lidhje me Hyjin në ndërgjegje, një shembull të freskët, të mrekullueshëm: Papa Benedikti XVI na e dha këtë shembull të madh, kur Zoti e bëri të kuptojë në lutje, cili ishte hapi, që duhej të bënte. Ndoqi, me arsye e guxim, ndërgjegjen e vet, domethënë, vullnetin e Zotit, që i fliste zemrës së tij”.
E ky shembull, shtoi, që ne të gjithëve na bën shumë mirë, duhet ndjekur. Zoja, me thjeshtësi të madhe, pohoi më pas Papa, e dëgjonte dhe e meditonte në thellësitë e shpirtit Fjalën e Zotit dhe gjithçka i ndodhte Jezusit, Birit të saj, me bindje të plotë e shpresë të patundur.
Prej këndej, lutja drejtuar Marisë, që të na ndihmojë të bëhemi gjithnjë më shumë njerëz të ndërgjegjshëm, të lirë në ndërgjegjen tonë, të aftë për ta dëgjuar zërin e Zotit e për ta ndjekur me vendosmëri.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar besimtarëve e shtegtarëve, Papa kujtoi se sot, në Itali, kremtohet Dita e bamirësisë së Papës:
Dëshiroj t’i falënderoj ipeshkvijtë dhe të gjitha famullitë, posaçërisht më të varfërat, për lutjet e lëmoshët, që mbështesin shumë nisma baritore e bamirëse të Pasardhësit të Shën Pjetrit në të katër anët e botës. Faleminderit, të gjithëve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.