Papa Bergoglio, pjesëmarrësve në Ditën e të rinjve lituanë: ta ndjeni veten gjymtyrë
e gjallë e Kishës
“Mos kini frikë ta jetoni fenë, duhet ta ndjeni veten gjymtyrë e gjallë e Kishës”-
kështu u shkruan Papa Françesku të rinjve, që morën pjesë në “Ditën VI të Rinisë lituane”
me temë : “Ju quajta miq”, kremtimet e së cilës vijojnë në Kaunas. Në një mesazh,
për këtë rast, Papa nënvizon se dashuria e krishterë dhe miqësia e Jezusit nuk janë
shpresë e kotë dhe i fton të rinjtë e krishterë të jenë dëshmitarë të Krishtit në
gji të bashkëmoshatarëve. “Jezusi dëshiron t’ju dojë ashtu si jeni, edhe në ligështinë
e brishtësinë tuaj që, të prekur nga dashuria e tij, të mund të përtëriheni në korp
e në shpirt”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për “Ditën VI të Rinisë së
Lituanisë”. Dashuria e Krishtit e miqësia e Tij, nënvizon Papa, nuk janë ëndërr e
as nuk i përkasin vetëm pak vetëve. Krishti në kryq e dëshmon se janë shumë konkrete.
Ju, vijon mesazhi, do të mund ta provoni këtë miqësi në të gjithë bukurinë e saj,
vetëm nëse do ta kërkoni me sinqeritet, në se do t’ia hapni me besim zemrat Zotit,
duke e kultivuar me impenjim jetën tuaj shpirtërore. Ati i Shenjtë kujton, në mënyrë
të posaçme, rëndësinë e sakramenteve, të meditimit të Shkrimit Shenjt, të lutjes së
vazhdueshme e të jetës në gjirin e bashkësisë së krishterë. Më pas i nxit të rinjtë
ta ndjejnë veten gjymtyrë të gjalla të Kishës, të impenjuar në ungjillëzim, përkrah
me vëllezërit në fe e në bashkim me barinjtë. Mos kini frikë ta jetoni fenë, i nxit
Papa të rinjtë lituanë! Jini dëshmitarë të Krishtit në mjediset tuaja të përditshme,
me thjeshtësi e guxim. E kërkojuni të rinjve të krishterë t’ua tregojnë bashkëmoshtarëve
Fytyrën e mëshirës e të dashurisë së Zotit, që fal, që jep zemër e dhuron shpresë.
Të jeni gjithnjë të vëmendshëm ndaj tjetrit, porosit Papa, posaçërisht ndaj më të
varfërve e më të ligshtëve, duke e jetuar e duke e dëshmuar dashurinë vëllazërore,
larg çdo egoizmi e mbylljeje në vetvete. Papa i fton të rinjtë ta thonë vazhdimisht
Rruzaren Shenjte, duke iu lutur Marisë t’u prijë drejt bashkimit gjithnjë më të ngushtë
me Jezusin. Pajtori juaj, Shën Kazimiri, përfundon mesazhi, ju ndihmoftë ta kërkoni
e ta çoni në botë Krishtin, pa u lodhur kurrë!”.