2013-06-29 12:18:50

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Shën Pjetrit e Palit Apostuj


Ja përsëri në takimin me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të festës së Shën Pjetrit e Palit Apostuj.
Kremtojmë pra solemnitetin e apostujve Pjetër e Pal, simbole, përkatësisht, të themelit e të misionit universal të Kishës së Jezu Krishtit.
Pjetri e Pali qenë të bashkuar në mision e në martirizim. Pjetri ai që e njohu e pranoj madhërinë e doktrinës së Palit; Pali ai që e vërtetoi mësimin dhe predikimin e tij me Pjetrin, për të mos rrezikuar të predikonte gjërat e veta, në vend që t'i predikonte ato të Jezu Krishtit.
Pjetri e Pali janë sintezë e mrekullueshme e bashkimit në dallueshmëri të dhuratave e të karizmave që Zoti u ka falë. Këta janë Apostujt e shenjtë që me gjakun e tyre e kanë bërë të frytshme Kishën. Atyre u drejtohemi me lutje që të ndërmjetësojnë pranë Hyjit Dashuri për përforcimin e fesë sonë në Krishtin e Gjallë.
Me siguri që çdo njëri prej të dy shenjtorëve, do të meritonte një festë në veti; aq e madhe është pesha e rëndësia e shenjtërimit dhe domethënia që kanë pasur e vazhdojnë të kenë për Kishën.
Megjithë dallueshmërinë që kanë njëri me tjetrin, ata kanë diçka që i bashkon dhe që këshillon t'i kremtojmë së bashku.
Ajo që i bashkon më duket se është mirë e shprehur në antifonen e hyrjes së meshës së këtij solemniteti: "Janë këta apostuj të shenjtë që gjatë jetës tokësore e kanë bërë të frytshme Kishën me gjakun e tyre, kanë pi kelkun e Zotërisë Jezus, e janë bërë miq të Zotit". Titulli i tyre i lavdisë është pra fakti që kanë dëshmuar Krishtin deri më vdekje, duke e bërë të "frytshme" zhvillimin dhe rritjen e Kishës së parë, më shumë se të gjithë të tjerët. Pastaj, të mos harrojmë faktin, historikisht të dokumentuar, që të dy kanë pësuar martirizimin për Krishtin në Romë, qytetin e "amshuar".
Dy Apostujt e mëdhenj Pjetri e Pali, shtylla e themele të Kishës, në ditën e festë së tyre, na ndihmojnë të thellojmë karizmat e tyre të veçanta, dhuratat e tyre që karakterizonin secilin dhe t'i jemi mirënjohës Zotit për transmetimin po nga ata, të Ungjillit e të doktrinës Kishtare në të gjitha kohërat, e kështu na garantohet në kohë e vërteta e Dëftimit të Zotit e vepra e shëlbimit realizuar për ne nga Krishti Zot.
Libri e shpata janë simbolet ikonografike me të cilat paraqiten Pjetri, "peshkatar i përvujtë i Galilesë", e Pali "apostull-doktor i popujve", urtia e dëftuar e Atit dhe forca e dëshmisë ungjillore, nga njëra anë Jezusi dhe e vërteta e tij, nga ana tjetër gjyqi i shpëtimit që vjen e realizohet në jetën e secilit prej nesh.
Konfrontimi mes dy apostujve të shenjtë mund të vazhdojë: herë herë duken aq larg njëri tjetrit e të pakrahasueshëm, nga ana tjetër përplotësohen në historitë e thirrjes së tyre, në dëshminë e jetës së tyre për fenë Krishtin, që vuloset me gjakun e martirizimit të tyre. Jeta e dëshmia e tyre për Krishtin, janë një thirrje për ne të kthehemi në udhën e Zotit, të pranojnë planin e Hyjit, pavarësisht se cila është “historia” jonë aktuale më Të dhe të jetojmë në përkim me Ungjillin e Krishtit e ta dëshmojmë më jetë dashurinë shëlbimpruese.

Liturgjia e Fjalës së Zotit
VP 12, 1-11
Pjetri përgatitet të kremtojë Pashkët hebraike, kur ndodh arrestimi i tij. Ai kremton një pashkë të ndryshme nga ajo që priste, por të njëjtë me atë të Mësuesit. E kremton, jo për të përkujtuar ikjen prej Egjiptit, por arratisjen e tij personale prej Jeruzalemit. Pashka e tij është çlirimi përfundimtar nga judaizmi dhe nga varësia e tij, është refuzimi i legalizmit hebraik, për tu bërë të njohur shpëtimin edhe paganëve.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës. Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit. E kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi të burgosë edhe Pjetrin. Ishin ditët e bukëve të pabrume. E pasi e kapi, e qiti në burg dhe ua dha ta ruajnë katër skuadra, secila e përbërë nga katër ushtarë, me qëllim që mbas Pashkëve ta qesë para popullit. Kështu pra, Pjetri ruhej në burg, por urata e përzemërt e Kishës ngritej vazhdimisht para Hyjit për të. Atë natë, para se Herodi mendonte ta qesë para popullit, Pjetri flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur në dy palë hekura, e para derës rojtarët ruanin burgun. Dhe ja, engjëlli i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi dhomën. Engjëlli i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi dhe i tha: “Çohu shpejt!” Prej duarve i ranë hekurat. Engjëlli i tha: “Ngjeshu dhe lidhi sandalet!” Ai bëri ashtu. Përsëri i tha engjëlli: “Veshu petkun tënd dhe eja pas meje!” Pjetri doli dhe po i shkonte pas. Nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ngjante me anë të engjëllit ishte e vërtetë, por ai kujtonte se kishte një vegim. Kaluan rojën e parë dhe të dytën, edhe arritën te dera e hekurt që shpie në qytet. Kjo u hap vetvetiu. Ata dolën, kaluan një rrugë e atëherë papritmas engjëlli u nda prej tij. Atëherë Pjetri erdhi në vetë e tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet për të më shpëtuar nga dora e Herodit dhe prej gjithçka priste populli i judenjve.”
Fjala e Zotit. Falenderojmë Hyjin!

Psalmi 33/34
Qoftë bekuar Zoti që i liron miqtë e vet
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij. Shpirti im mburret në Zotin:le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
Shikojeni atë e do të ndriçoheni, fytyra juaj nuk do të turpërohet. Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.

Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!

Tm 4,6-8. 17-18
Pali ndjen afër vdekjen e tij, i braktisur prej të gjithëve, nuk ka humbur asgjë nga besimi i tij. Dëshiron të vdesë ashtu si ka jetuar; agonia e tij është një luftë, si ajo e Jezusit. Por në kopshtin e Ullinjve i gjithë ankthi i njerëzve u hyjnizua. Vdekja është ora e së vërtetës: jo sepse njerëzit tregojnë se çfarë janë me të vërtetë, por sepse vdekja mund të zbulojë thellësinë e besimit të tyre.
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, sa për mua, gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit, dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë ditë do të ma japë Zoti, gjykatësi idrejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri ardhjen e tij. Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen!
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Mt 16, 18
Aleluja! Aleluja! Ti je Pjetër – Shkëmb; dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Aleluja! Aleluja!
Ungjilli Mt 16, 13-19
Simoni i jep Jezusit titullin e Mesisë, dhe Jezusi i cakton titullin mesianik “Gur”. Arsyeja kryesore, për të cilën është quajtur gur ose shkëmb mbi të cilin është ndërtuar Kisha, është besimi që ka dëshmuar hapur. Ka qenë zëri përcjellës i besimit të apostujve, që është në bazë të ekzistencës së tyre dhe e bashkimit të tyre. Pjetri ka si detyrë edhe të konfirmojë besimin dhe të garantojë bashkimin mes besimtarëve në dashuri dhe bamirësi.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.” “Po ju – u tha atyre – ç’thoni: kush jam unë?” Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!







All the contents on this site are copyrighted ©.