Aktualiteti i solemnitetit të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal
Dy Apostujt, Shën Pjetri - "Shkëmbi", dhe Shën Pali "Mjeti i zgjedhur nga Zoti", të
nisur nga viset e largëta të lindjes në një shtegtim misterioz feje e dashurie, pasi
përshkuan troje të huaja e të panjohura, u takuan në Romë për një mision të përbashkët,
për të predikuar Krishtin, të vetmin shëlbues të botës. Për Të ata do të derdhnin
edhe gjakun pikërisht këtu, duke i skalitur përgjithnjë emrat e tyre në historinë
e Romës së krishterë. Shtegtimi i tyre është model i shtegtimit simbolik që është
i thirrur të bëjë çdo i krishterë për ta kumtuar Krishtin nëpër botë. Në besojmën
e Pjetrit, mund ta ndjejmë se jemi të gjithë një gjë e vetme, pavarësisht nga ndarjet
që në rrjedhë shekujsh e copëzuan unitetin e Kishës, me pasoja që vijojnë edhe sot
e kësaj dite. Prandaj në Solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, Kisha vë gjithnjë
theksin mbi kërkimin e ‘bashkimit të plotë’, dëshirë e përhershme e Patrikut Ekumenik
të Kostandinopojës dhe e Ipeshkvit të Romës. Kujtojmë se Zoti e mbiquajti Simonin
- Kefë, që do të thotë Pjetër – shkëmb. Jezusi pohon kështu se mbi këtë shkëmb
dëshiron të themelojë Kishën e vet e, në këtë perspektivë, i jep Pjetrit pushtetin
e çelësave (cfr Mt 16, 17-19). Nga këto rrëfime del qartë se besojma e Pjetrit
është e pandashme nga detyra baritore që i besohet lidhur me grigjën e Krishtit. Të
gjithë ungjilltarët nënvizojnë se Shën Pjetri e shpreh besojmën e tij atëherë kur
Jezusi, pas predikimit në Galile, niset vendosmërisht drejt Jerusalemit, për të përmbushur,
me vdekjen në kryq e me ngjalljen, misionin e tij shëlbues. Nxënësit janë të lidhur
ngushtë me këtë vendim. Jezusi i fton të zgjedhin rrugën që do t’i dallojë nga
turma, për t’u bërë bashkësi njerëzish që besojnë në të, familja e tij, fillesa e
Kishës. Në të vërtetë Jezusin mund ta shikojmë e ta njohim në dy mënyra: njëra është
ajo e turmës, më e cektë; tjetra – e nxënësve – më depërtuese e më e vërtetë. Me pyetjen
e dykuptimtë : “Çka thonë njerëzit, kush jam unë? e “Po ju, kush thoni se jam?”- Jezusi
i fton nxënësit e vet të fitojnë vetëdijen e kësaj perspektive, që ndryshon nga ajo
e turmës. Njerëzia mendon se Jezusi është profet. Nuk është pohim i rremë, por
nuk mjafton, është i papërshtatshëm. Është e nevojshme të hyhet shumë më thellë, të
njihet veçantia e vetjes së Jezusit të Nazaretit, e reja që sjell Krishti. Edhe
sot është po kështu: shumë i afrohen Jezusit, por duke e parë thjeshtë nga jashtë.
Studiuesit e mëdhenj, që ia njohin lartësinë shpirtërore e morale dhe ndikimin mbi
historinë e njerëzimit, e krahasojnë me Budën, me Konfucin, me Sokratin, me dijetarë
e personalitete të tjerë të mëdhenj të historisë. Por nuk arrijnë të kuptojnë se ai
është unik. Shpesh Jezusi konsiderohet edhe si një nga themeluesit e mëdhenj të
feve, nga i cili gjithkush mund të marrë diçka, për të formuar bindjet e veta. Si
atëherë, njerëzit kanë opinione të ndryshme për Jezusin e, si atëherë, Jezusi na e
përsërit edhe neve pyetjen: “E ju, kush thoni se jam unë?”. E ne, pikërisht kur na
drejtohet kjo pyetje, duhet të bëjmë tonën përgjigjen e Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri
i Hyjit të gjallë!”. Jezusi i besoi Pjetrit një detyrë të posaçme, duke dalluar
në të dhuratën e veçantë të fesë që i kishte bërë Ati qiellor. Prej këndej buron edhe
përvoja unike e Simon Pjetrit: “Paralelizmi ndërmjet Pjetrit e Palit është kuptimplotë,
por nuk mund ta zbehë rëndësinë e udhës historike të Simonit me Mësuesin e Zotin e
tij, që i dha qysh në fillim cilësitë e shkëmbit, mbi të cilin do të themelonte bashkësinë
e tij të re, Kishën”. Kujtojmë se në Ungjijtë sinoptikë, shpallja e besojmës nga
ana e Pjetrit pasohet gjithnjë nga çasti kur Jezusi kumton mundimet e tij të afërme.
Është një kumt, që e shtyn Pjetrin të kundërshtojë, sepse nuk arrin akoma ta kuptojë
Zotin. E megjithatë është një element themelor, për të cilin Jezusi ngul këmbë me
forcë. Kuptohet, prej këndej, se ngjarja e kryqit e zbulon kuptimin e vet të plotë,
vetëm në se ky njeri, që pësoi e vdiq në kryq, ishte vërtetë Biri i Hyjit. Rruga drejt
lavdisë është rrugë e ngushtë, shkandulluese për nxënësit e çdo kohe, që në mënyrë
të pashmangshme shtyhen të mendojnë sipas mendjes njerëzore e jo sipas Zotit”. “Edhe
sot, si në kohët e Jezusit, nuk mjafton të kemi besojmën e drejtë të fesë, është e
nevojshme ta mësojmë nga vetë Zoti se ai është shëlbues e se na e tregon rrugën në
të cilën duhet ta ndjekim. Duhet të pohojmë se edhe besimtari e ka të vështirë ta
pranojë kryqin. Instinkti e shtyn t’i largohet e tunduesi, të mendojë se do të ishte
më urti të shpëtosh vetveten, sesa ta humbasësh jetën për hir të besnikërisë e të
dashurisë”.Edhe sot shumëkush e ka tepër të vështirë të pranojë se Jezusi i njeh vetvetes
të njëjtin autoritet që ka Hyji. Vetë nxënësit e tij nuk arritën ta kuptojnë menjëherë
se ai ishte ‘Mesia’; u desh të bënin një udhë të gjatë në fe, për ta marrë vesh këtë
të vërtetë. E prandaj edhe feja jonë paraqitet si shtegtim, që lind nga përvoja e
Jezusit historik, e ka themelin në misterin e Pashkëve, por duhet të përparojë akoma
për virtyt të frymëzimit, që vjen nga Shpirti Shenjt”.