2013-06-28 10:35:32

Më 28 qershor kalendari kujton shën Ireneun e Lionit


Më 28 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Ireneun e Lionit, ipeshkëv e martir. Ireneu, që në shqip do të thotë Paqësor, njeri i paqes me emër e me vepra, është figurë me rëndësi të dorës së parë në historinë e Kishës. Me origjinë nga Azia, i lindur në Smirnë, në vitin 177 u nis nga Galileja për t’u ulur në fronin ipeshkëvnor të Lionit, duke zënë vendin e ipeshkvit martir Potinit, pak kohë pasi qe dërguar në Romë për të sqaruar disa çështje doktrinore. Kur arriti në vend, gjysma e priftërinjve dhe e besimtarëve të Kishës, së cilës do t’i printe, ishin martirizuar. Mbeti i vetmi ipeshkëv për të gjithë Galinë. Ai, grek, mësoi shumë shpejt gjuhën e barbarëve, për të ungjillëzuar popullsitë keltike e gjermanike. E atje ku nuk arrinte zëri i tij, arrinte fjala e shkruar. Në pesë librat e Ireneut kundër herezive, ndjehet jo vetëm forca e apologjistit të madh, por edhe ëmbëlsia e bariut të mirë, të shqetësuar për ndonjë nga delet e humbura, të cilën bën çmos ta rikthejë në vath.
E pikërisht për këtë figurë madhore foli pak kohë më parë, Benedikti XVI.
Feja që përmbahet në Ungjill nuk është privilegj i pak intelektualëve, por mund të kuptohet e të pranohet nga të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhës të Apostujve, duke nisur nga Papa. Kështu Ati i Shenjtë Jozef Racinger iu drejtua mëse 20 mijë besimtarëve të pranishëm më 28 mars 2007 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për audiencën e përgjithshme, duke folur mbi unicitetin, mbi universalitetin dhe frymëzimin hyjnor të krishterimit, ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga Shën Ireneu ipeshkëv i Lionit, qysh në vitin 200 pas Krishtit, në kohën e herezisë gnostike.
Duke kujtuar cilësitë e ipeshkvit të lashtë francez, Ireneut, Papa e quajti “kampion të luftës kundër herezive” dhe prelat të aftë për të ripohuar “konceptin e pastër të traditës apostolike”
Papa citoi edhe fjalët që i pati përdorur Ireneu për t’i kundërshtuar heretikët: “Kisha, megjithëse e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën mënyrë, beson në këtë të vërtetë, si të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton si të kishte një gojë të vetme”, duke pasur mirë parasysh se tradita apostolike është “e frymëzuar nga Shpirti Shenjtë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.