2013-06-28 18:45:35

Këshilli i konferencave ipeshkvnore evropiane (Ccee): në Varshavë, sfidat e shekullarizimit, papunësisë dhe emigracionit


Ishte zëvendës-kryetari i Këshillit të konferencave ipeshkvnore evropiane (Ccee), imzot Jozef Mihalik, ai që hapi dje pasdite punimet e takimit të sekretarëve të përgjithshëm të Konferencave ipeshkvnore të Evropës, që do të vazhdojnë në Varshavë deri të diel, më 30 qershor. Takimi mbahet pranë selisë së Karitasit polak. Imzot Mihalik, njofton agjencia Sir, u ndalua posaçërisht tek situata e Kishës katolike në Poloni dhe sfidat aktuale shoqërore, si papunësia e theksuar dhe emigrimi, që e shqetësojnë posaçërisht Kishën vendase.
Imzot Vojçek Polak, sekretar i Konferencës ipeshkvnore polake, nënvizoi rëndësinë e temës së ungjillëzimit të ri në Poloni, në mënyrë të veçantë, në Varshavë, ku i Lumi Gjon Pali II pati thënë, në vitin 1979: “Kisha e solli në Poloni Krishtin, domethënë, çelësin për ta kuptuar këtë realitet të madh e themelor, që është njeriu. Njeriu nuk mund të kuptohet me fund, pa Krishtin (1979, Sheshi i Fitores). Për ipeshkvin Polak, edhe Evropa nuk do të mund të kuptohet ndryshe, veçse me Krishtin, shpresë e gjallë për Kishat tona e për popujt tonë. Ipeshkvi Virgil Bercea, prelat i Oradea–Mare, në Rumani e zëvendës-kryetar i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece), pohoi se pasojat e shekullarizimit ndikojnë fort mbi përjashtimin e pajustifikuar të Zotit. E kjo shkakton një çorientim të madh në shpirtin e njerëzve, që nuk arrijnë më as ta njohin vetveten e misionin e tyre në jetë. Sot mungon gjithnjë më shumë vizioni i së ardhmes, vërejti prelati. E kjo çon edhe në shpërbërjen e kulturës së familjes e të së mirës së përbashkët, që gjithnjë më shumë po zëvendësohen me egocentrizmin. E jo vetëm. Kultura bashkëkohore është bërë pragmatike, e shikon me dyshim vlerën e pazëvendësueshme të njohjes së Zotit dhe të realiteteve shpirtërore, deri në atë masë, sa të nxisë zhvillimin e humanizmit pa Zotin e pa Jezu Krishtin. Për imzot Bercean, jemi përballë një kulture, që modelohet nga mjetet e komunikimit. Vala informative, vërshon me vrull të jashtëzakonshëm mbi ndërgjegjet, duke i përmbytur me informacione të vërteta e të rreme, duke vlerësuar me të njëjtën lehtësi si veset dhe imoralitetin, ashtu edhe vlerat e përhershme humaniste e bazat themelore kristiane të kulturës evropiane. Kësaj i shtohet një klasë politike evropiane, pa vlerat bazë të bashkimit kulturor, propozuar nga etërit themelues. E deri ata, që pohojnë se janë të krishterë në politikë, e bëjnë veshin të shurdhër, kur duhet dëgjuar zëri i të krishterëve besimtarë. Përballë këtij kuadri, ungjillëzimi i ri është më i nevojshëm se kurrë. Për t’i dhënë përgjigje konkrete kësaj situate, imzot Bercea bëri disa propozime. Ka rëndësi, theksoi, të sqarohen mirë bazat e fesë e të kulturës, e për këtë duhet thelluar kuptimi teologjik e baritor i ungjillëzimit të ri. Duhet nxitur e ndihmuar studimi, përhapja dhe aktualizimi i mendimit papnor lidhur me tematikat, që kanë të bëjnë me ungjillëzimin e ri. E të bëhen të njohura e të mbështeten nismat e lidhura me ungjillëzimin e ri, do të thotë t’u kthesh të krishterëve identitetin e tyre si besimtarë, që i përkasin Kishës. Pa harruar edhe afrimin, përmes lutjes, me të krishterët e tjerë, parë si udhë për njohjen reciproke, për të shëruar plagët e historisë e për të bërë një hap para drejt bashkimit të të gjitha Kishave të ndara kristiane. Së fundi, favorizimi i formave moderne të komunikimit, parë gjithnjë, si mjet në shërbim të Ungjillëzimit të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.