2013-06-28 10:43:20

Benedikti XVI: shën Ireneu i Lionit kampion i luftës kundër herezive


Shën Ireneu i Lionit sipas audiencës së përgjithshme të 28 marsit 2007 të Papës Benediktit XVI, në ciklin e katekizmit mbi Etërit apostolikë.
Feja që përmbahet në Ungjill nuk është privilegj për pak intelektualë, por është e arritshme dhe e pranueshme për të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhësve të Apostujve, duke u nisur nga Papa. Kështu pohoi Papa Benedikti XVI Jozef Racinger duke iu drejtua mëse 20 mijë besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, për audiencën e përgjithshme të datës të 28 marsit 2007, në ciklin e katekizmit mbi Etërit apostolikë. Benedikti XVI foli mbi unicitetin, mbi universalitetin e frymëzimin hyjnor të krishterimit ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga Shën Ireneu ipeshkëv i Lionit, qysh në vitin 200 pas Krishtit, në kohën e herezisë gnjostike.
“Mësimi i vërtetë është ai që japin ipeshkvijtë, të cilët mund të provojnë se e kanë marrë përmes një tradite të pashkëputshme nga Apostujt”. Pohimi i këtyre fjalëve, pak para dymijë vjetësh, i mundësoi Ireneut ipeshkëv të Lionit të hedh poshtë mendimin sektar të gnostikëve që shkonin duke predikuar një krishterim të tipit “elitar, intelektualist”. Sipas tyre e vërteta e Ungjillit mund të kuptohej vetëm nga grup i vogël, përbërë prej intelektualësh e njerëzish të ditur, duke u lënë turmave e të njerëzve të thjeshtë simbolizmin, pasi sipas tyre, ata nuk janë në gjendje ti kuptojnë gjërat e vështira të doktrinës.
Benedikti XVI kujtoi e lavdëroi cilësitë e Ireneut, ipeshkvit të lashtë francez, të cilin e quajti “kampion të luftës kundër herezive” dhe të aftë të ripohoi “konceptin e pastër të traditës apostolike”:
Tradita apostolike është publike, jo private apo sekrete. Për Ireneun nuk ka kurrfarë dyshimi se përmbajtja e fesë së krishterë që transmetohet nga Kisha është ajo e marrë prej apostujve e prej Jezusit, Birit të Zotit. Nuk ekziston mësim tjetër përpos këtij. Prandaj, kush dëshiron ta njohë doktrinën e vërtetë mjafton ta njohë traditën që vjen prej apostujve e fenë që iu është kumtuar njerëzve. Tradita e feja – kështu thoshte Ireneu – kanë mbërrijë deri tek ne përmes pasardhësve të ipeshkvijve”.
Në këtë traditë, ripohoi në vazhdim të katekizmit të audiencës së 28 marsit 2007 Benedikti XVI, “duhet konsideruar në mënyrë të posaçme mësimi i Kishës së Romës, i Kishës kryesore e tejet të lashtë, e cila – tha Papa Ratcinger – ka ‘apostolicitetin më të madh’ sepse e ka zanafillën e saj prej vetë ‘shtyllave’ të Kolegjit apostolik: Pjetrit e Palit”. E prej tyre, deri tek ipeshkvijtë e sotëm, Tradita apostolike dëshmon edhe një tipar tjetër: atë të “unicitetit”. Për ta përshkruar këte, Benedikti XVI përdori të njëjtat fjalë që i pati menduar Ireneu për t’i kundërshtuar heretikët:
“Kisha, megjithëse është e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën mënyrë, beson në këtë të vërtetë sikur të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton sikur të kishte vetëm një gojë”.
Tradita apostolike, së fundi, ka një tipar të tretë: ajo është “e frymëzuar nga Shpirti Shenjtë” tha Benedikti gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme të 28 marsit 2007 kushtuar figurës së Shën Ireneut:
“Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë, për një transmetim që i besohet aftësisë e shkathtësisë së njerëzve pak a shumë të përgatitur mirë e të mençur, por është Shpirti i Zotit ai që garanton besnikërinë e transmetimit të fesë. Kjo është jeta e Kishës, kjo është ajo që Kishën e bën kurdoherë të freskët e të re, të frytshme në karizma të shumta”.







All the contents on this site are copyrighted ©.