2013-06-25 13:21:29

Papa: të jesh i krishterë nuk është rastësi, por thirrje e dashurisë hyjnore


Të jesh i krishterë do të thotë të jesh i thirrur nga dashuria hyjnore, për t’u bërë bir i Zotit. Kështu tha Papa Françesku në meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Zoti nuk të lë kurrë vetëm e të nxit të shkosh përpara, edhe në mesin e problemeve, theksoi. Papa komentoi leximin e parë të liturgjisë së sotme, marrë nga Libri i Zanafillës, ku tregohet debati ndërmjet Abrahamit e Lotit për ndarjen e tokës. “Kur e lexoj – nënvizoi Ati i Shenjtë – mendoj për Lindjen e Mesme dhe i lutem fort Zotit të na japë urtinë, urtinë e paqes e jo të grindjes: unë këndej e ti andej…”. Abrahami është njeri, që shkon përpara, ecën, vazhdoi Papa Bergolio. Ai nuk e di se ku po shkon, por është i sigurtë se Zoti do t’ia tregojë në çastin e duhur, pasi beson në Fjalën e Hyjit, që e ftoi të dalë nga toka e tij. Ky burrë, ndoshta 90-vjeçar, tha më pas Papa, sheh tokën e premtuar nga Zoti e beson:
“Abrahami niset nga toka e tij me një premtim: e gjithë udha e tij është rrugë drejt këtij premtimi. E kjo udhë është edhe model i udhës sonë. Zoti thërret Abrahamin - njeri ky - e nga ky njeri krijon një popull. Nëse shohim Librin e Zanafillës, në fillim, në pjesën që i kushtohet Krijimit, gjejmë se Zoti krijon yjet, krijon bimët, krijon kafshët, krijon e krijon, gjithnjë në shumës… por, krijon njeriun: është një, thuhet në numrin njëjës. Gjithnjë Zoti na flet në numrin njëjës edhe neve, sepse na ka krijuar në shembëlltyrë e në ngjashmëri me vetveten. I foli Abrahamit dhe i dha një premtim, duke e ftuar të dilte nga toka e tij. Ne të krishterët jemi të thirrur secili veç e veç: askush prej nesh nuk është i krishterë rastësisht! Askush!”
Thirrja e Zotit bëhet me emër, me një premtim, theksoi Papa Françesku. Hyji na nxit të shkojmë përpara e na premton se do të ecë bashkë me ne. E këtë e dinte fort mirë Jezu Krishti, që edhe në çastet më të vështira, i drejtohej Atit Qiellor:
“Zoti na shoqëron, Zoti na thërret me emër, Zoti na premton pasardhës. E kjo është siguria e të krishterit. Nuk është e rastit, është thirrje! Një thirrje, që na bën të ecim përpara! Të jesh i krishterë do të thotë të jesh i thirrur me dashuri, me miqësi; thirrje për t’u bërë bir i Hyjit, vëlla i Jezusit; për t’u bërë i frytshëm në transmetimin e kësaj thirrjeje për të tjerët; për t’u bërë mjet i kësaj thirrjeje. Ka shumë e shumë probleme e çaste të vështira: edhe Jezusi pati hequr shumë! Por kemi gjithnjë këtë siguri: ‘Zoti më ka thirrur. Zoti është me mua. Zoti më ka premtuar’”.
Zoti është gjithnjë besnik, nënvizoi akoma Papa Françesku. E duke reflektuar për këtë pjesë të Biblës, ku Abrahami vojohet nga Hyji si atë i popujve, Ati i Shenjtë i ftoi të pranishmit të mendojnë edhe për vojimin e të tyre në Sakramentin e Pagëzimit e kuptimin, që merr ai për jetën e krishterë:
“…dikush thotë ‘Atë, unë jam mëkatar’… Por të gjithë jemi, dihet ajo. Problemi është nëse mëkatarët i besojnë Zotit dhe ecin përpara me Të, me premtimin që Hyji na ka bërë, duke u thënë e duke u treguar të tjerëve se Zoti është me ne, na ka zgjedhur e nuk na lë vetëm kurrë! Kjo siguri e të krishterit na e mbush zemrën. Zoti na dhashtë të gjithëve dëshirën për të ecur përpara, si Abrahami në mesin e problemeve; por të shkojmë përpara me sigurinë se Hyji, që më ka thirrur, më ka premtuar shumë begati, është me mua!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.