2013-06-24 15:40:55

Tek Papa Bergoglio, kreu i indigjenëve argjentinas “qom”


Gjendja e popujve indigjenë, me problemet e rënda që shpesh e karakterizojnë, ishte në qendër të audiencës së Papës Françesku me Félix Dìaz, kreu i etnisë Qom të bashkësisë argjentinase “Pranvera”, i shoqëruar nga Nobeli për paqen, Adolfo Pérez Esquivel. Duke i shfaqur mirënjohje Atit të Shenjtë për këtë takim, Félix Dìaz i foli për “vështirësitë e popujve indigjenë në Argjentinë dhe në Amerikën Latine, si edhe për shqetësimet e tyre lidhur me mbrojtjen e të drejtave, sidomos përsa i përket territorit dhe identitetit kulturor”. Kështu njofton nota e Sallës së Shtypit të Vatikanit.
Etnia Qom, që në vitin 1940, mori nga shteti një territor prej 5 mijë hektarësh, ku mund të jetonte sipas rregullave të veta. Fatkeqësisht, ky territor zvogëlohet gjithnjë e më shumë, për shkak të dhënies së tij institucioneve, ose shfrytëzimit nga ana e shtetit. Gjithashtu, indigjenëve u mungon uji i pijshëm, ushqimi, puna. Askush nuk u njeh të drejtën e qytetarisë, pavarësisht se kërkesa për t’u konsideruar nënshtetas argjentinas është bërë në vitin 2011. Plagët e tjera nga të cilat vuajnë janë analfabetizmi, mosrespektimi i gjuhës dhe i identitetit të tyre kulturor, kërcënuar nga racizmi, diskriminimi e nga politikat, që synojnë zhdukjen e bashkësive tradicionale indigjene.







All the contents on this site are copyrighted ©.