Më 24 qershor kalendari kishtar përkujton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit
Më 24 qershor kalendari kishtar përkujton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit, profet e
martir. Shën Gjon Pagëzori qe dërguar prej Hyjit për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu
Krishtit Zot pranë popullit dhe atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e tregoi
të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e njerëzimit
që i merr mbi vete mëkatet e njerëzimit dhe i falë e shlyen, prandaj Gjon Pagëzori
edhe kërkonte nga populli përgatitje shpirtërore për ta pritu e pranuar Mesinë me
fe. Për këtë Gjoni predikoi pagëzimin e pendesës dhe kthimin e njerëzve tek Hyji.
Pra, me pak fjalë Gjoni është profeti i mbramë i Besëlidhjes së Vjetër e Pararendësi
i Krishtit. Gjon Pagëzori shënon pikërisht vijën ndarëse ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër
e të Besëlidhjes së Re, pra e përuron epokën Mesianike. Ai është personaliteti për
të cilin Jezusi thotë: “Asnjë profet nuk qe më i madh se Gjoni”. Një nënvizim ky i
rëndësishëm në historinë e shpëtimit që e bënë këtë shenjtor një pikë referimi e përherë
aktual. Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte
Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e
Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri
i Gjon Pagëzorit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në ungjillin e Lukës, i cili
tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje
ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë. Ungjilltarët e paraqesin
Gjon Pagëzuesin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin
e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore,
që na propozon liturgjia për Shën Gjon Pagëzorin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është
ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them:
ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzori”. Nga
ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur
parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të shkuar
e ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur
lidhëzat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar
duke përdorur simbolet e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit, “Gjon Pagëzori
nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit
këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen,
është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë
është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!”. Shën
Gjon Pagëzori është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar
me aureolën e lumturisë (së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit,
sipas kalendarit liturgjik të Kishës, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe lindja),
por ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qendra
e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Izenhaimit,
që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grynevald që e pikturoi
veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516 e ka vendosur Shën Gjon Pagëzuesin tek këmbët e
Jezusit të Kryqëzuarit me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet
të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet.