2013-06-23 17:25:39

Tensione në Shqipëri ditën e zgjedhjeve parlamentare: një i vdekur në një qendër votimi


Votimet e sotme për parlamentin e ri në Shqipëri janë karakterizuar nga incidente të ndryshme. Ngjarja më e rëndë është ajo e Laçit, ku
nga të shtënat me armë pranë një qendre votimi, mbeti një i vdekur e një i plagosur. Pas një konfrontimi, që mësohet se ka nisur fillimisht fizikisht, e me pas me përdorimin e armës ka mbetur i vdekur shtetasi Gjon Pjetër Gjoni, që mësohet të ketë qenë simpatizant i LSI-së.
Policia e Lezhës në një konference për mediat, ka deklaruar se nga të shtënat ka mbetur i plagosur kandidati i PD-se, Mhill Fufi i cili ka qenë edhe objekt i sulmit, si dhe ka mbetur i plagosur edhe një tjetër person, identifikuar si Kastriot Fufi. Drejt vendit të ngjarjes janë drejtuar forcat Renea, ndërkohë që po hetohet për zbardhjen e saj.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, ndërkohë që priten të dhënë lidhur me autorësinë e ngjarjes.
Prokuroria e Lezhës është duke marrë në shqyrtim kërkesën e Policisë së Shtetit për të shpallur në kërkim 7 persona të dyshuar për ngjarjen e Laçit.
Ngjarja sipas policisë
Rreth orës 08.45’, të ditës së sotme, në ambientet e jashtme të Shkollës së Mesme “AT Shtjefën Gjeçovi”, të qytetit të Laçit, ka patur një shkëmbim zjarri, ku për pasojë: ka gjetur vdekjen shtetasi Gjon Gjoni, vjeç 49, banues në Laç dhe po ashtu janë plagosur, shtetasi Mhill Fufi, rreth 49 vjeç, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike, për Qarkun e Lezhës, i cili është dërguar për mjekim në Spitalin e Rajonal Lezhë, jashtë rrezikut për jetën, si dhe shtetasi Kastriot Fufi, vjeç 39, banues në Mamurras, i cili është dërguar për ndihmë më të specializuar në Spitalin Ushtarak Tiranë.
Strukturat e Policisë po punojnë intensivisht për zbardhjen e dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë.
Për hetimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili kryesohet nga Prokurori i rrethit Gjyqësor Kurbin. Në përbërje të këtij grupi të posaçëm hetimor bëjnë pjesë dhe specialistët më të mirë të kësaj fushe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Duke u ndalur mbi raportimet e vëzhguesve në terren, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë deklaroi se gjatë procesit të sotshëm janë vënë re një sërë problemesh, si hapje me vonesë e qendrave të votimit, në mënyrë të veçantë nëpër fshatra në zona të thella të vendit, ngatërresa me vendosjen e kapakëve të kutive, mungesa e materialeve zgjedhore, bllokim procesi nga ana e komisionerëve, orientim votimi, një numër më i vogël fletësh votimi në raport me numrin e zgjedhësve, votim familjar dhe janë ndeshur edhe raste votimi pa mjet identifikimi. Votimet interesojnë mase tre milion e 200 mijë qytetarë me të drejtë vote, të cilën do të zgjedhin Parlamentin e ri, po nga këto votime vlerësohet edhe besueshmëria e Vendit që ka për detyrë të garantoi votime të lira, transparente dhe paqësore, nëse vërtetë do të niset udhëtimit për aderimin në Bashkimin Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.