2013-06-23 18:46:50

Papa përshëndet të vegjlit e “Trenit të fëmijëve”. Për ta, festa e zemrës, në Vatikan


Menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku shkoi në stacionin hekurudhor të Vatikanit, për t’u takuar me më se 300 fëmijë, ardhur pak minuta para Atit të Shenjtë nga shtëpitë–familje, institutet, shoqatat. Nisma, e quajtur “Treni i fëmijëve, shtegtim drejt bukurisë”, bën pjesë në ngjarjet, që u kushtohen më të vegjëlve në kuadrin e ‘Oborrit të jo besimtarëve”, strukturës vatikanase të Këshillit Papnor të Kulturës, që çon përpara dialogun me jo besimtarët.
“Të gjithë fëmijët kanë nevojë për një hir, e ndoshta, më shumë se të tjerët”. Janë fjalët e një edukatoreje, që shtrëngonte ngrykë një të posalindur, duke pritur mbërrijtjen e Papës. Pastaj Ati i Shenjtë u duk në mes të fëmijëve, ndoqi përshëndetjen e kardinalit Ravazi e u rrethua menjëherë nga udhëtarët e vegjël, të emocionuar në kulm. Po emocioni u shkri sakaq para Papës, që nisi me ta një dialog plot gjallëri, si mosha e tyre. Dukej si famullitar,që qesh e luan me besimtarët e vet të vegjël:
Papa Françesku: - Faleminderit. Sa bukur. Sa bukur! Sa bukur! Ju uroj ditë të gëzuar. Do të jetë pakëz e nxehtë, por....
Fëmijët: - Po!
Papa: - Po. A nuk keni frikë nga vapa ju?
Fëmijët:- Jo! Për të të parë ty, jo!
Papa ndenji një gjysëm ore me mysafirët e vegjël, që i erdhën për vizitë, i pyeti si udhëtuan, i falënderoi, i nxiti t’i tregojnë si do t’i kalojnë orët e mëpasme në Vatikan. E ata i treguan se do të hanin drekë në Sallën e Palit VI, aty edhe do të luanin, do të vizitonin, pastaj, Shtyllakun e Sheshit të Shën Pjetrit, e pastaj, do të niseshin për Milano. Fëmijët, që vinin nga shumë qytete italiane, por me kombësi të ndryshme, i dhuruan Papës vizatimet e punëdoret e tyre, realizuar gjatë fazave të projektit, që parashikon vizita në katedralet e qyteteve të tyre, për t’u njohur me historinë, përmes lojërave. Një vajzë trembëdhjetë vjeçe, që shtegtoi duke shtrënguar në krahë foshnjen e saj, i dhuroi Papës një tufë me lule kamomili, me kusht të veçantë për Virgjërën Mari.
Treni Shigjetargjendtë, i nisur nga Milano në orën 7.30, i ngarkuar me emocione e ëndrra, arriti në Bolonjë e Firence, ku mori disa shtegtarë të vegjël, që u pritën në Romë nga fëmijë të tjerë, gjithsejt 400, shumica 6 deri në 10 vjeç, shoqëruar nga edukatorët, asistentët socialë e familjarët. Ngjarje krejt e re, kjo vizitë e fëmijëve, që hynë në Vatikan mbi një tren shigjetargjendë, e dolën të ngarkuar me ëndrra të arta.








All the contents on this site are copyrighted ©.