2013-06-23 18:47:06

Ati i Shenjtë Shoqatës së Shën Pjetrit e të Shën Palit: bamirësia e shpirtmadhësia janë virtytet e të krishterit.


Bamirësi e shpirtmadhësi: këto shenja dalluese të të krishterit kujtoi Papa Françesku sot paradite, gjatë takimit me anëtarët e Shoqatës së Shën Pjetrit e Shën Palit, të cilët i priti në audiencë pak para lutjes së Engjëllit të Tënzot. Ati i Shenjtë e përgëzoi shoqatën për njëzet e dy anëtarët e rinj, që sot bënë kushtet.

“Faleminderit!”. Kjo ishte fjala e parë e Papës, drejtuar Shoqatës së Shën Pjetrit e të Shën Palit e cila, që nga viti 1971, u kushtohet nismave të ndryshme të vullnetariatit, duke çuar përpara apostullimin e vet me veprimtari bamirëse e kulturore. Një impenjim, që Papa e nënvizoi kështu:
“Posaçërisht bamirësia, vëmendja konkrete ndaj të tjerëve, ndaj më të varfërve, më të ligshtëve e më nevojtarëve, është shenja dalluese e të krishterit. Të rritesh në njohje e në dashuri të Zotit është themelore, për ta jetuar e për t’ua çuar mëshirën e Tij të gjithëve, duke parë në fytyrën e njeriut, që takojmë, Fytyrën e Zotit”.
Prej këndej, porosia e Papës Françesku për ta njohur gjithnjë më shumë Zotin përmes lutjes, meditimit të Fjalës së Tij, studimit të Katekizmit, me një qëllim të vetëm:
“Për të dhënë dëshmi të veçantë të jetës së krishterë, duke i shërbyer Kishës dhe vëllezërve pa kërkuar asgjë si shpërblim. Kjo është e bukur: pa kërkuar shpërblim, siç bëri Jezusi. Jezusi na shërbeu të gjithëve e nuk na kërkoi ta shpërblejmë. Kjo është e bukur: Jezusi e bëri gjithçka falas, e edhe ju bëjeni gjithçka falas! Shpërblimi juaj është gëzimi, që ndjeni duke i shërbyer Zotit, e duke i shërbyer së bashku!”.
E Zotit duhet t’i shërbejmë me bujari, me shpirtmadhësi:
“Virtyt i bukur i krishterë, ky: shpirtmadhësi, zemër e gjerë, durimtare, që vijon të zgjerohet, sa të zërë gjithë botën; e jo zemër e vockël, plot vogëlsira; vogëlsira, që na bëjnë aq keq! Zemërgjerësi!”.
Kështu, përfundoi Papa, dëshmia e të krishterit do të jetë më bindëse e më e frytshme e shërbimi, më i mirë e më i gëzueshëm. Së fundi Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë të luten edhe për ata, që na bëjnë keq, për ata, që na zemërojnë, që bekimi i Zoti t’i prekë edhe keqbërësit.







All the contents on this site are copyrighted ©.